Reuten: Pas vizave, hapi i radhës i BE-së do të jetë dhënia e statusit të kandidatit për Kosovën
Deputeti nga radhët e Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamentin Evropian (PE), Thijs Reuten, beson se hapi i radhës i Bashkimit Evropian në raport me Kosovën pas liberalizimit të vizave do të jetë procesimi tutje i aplikimit të anëtarësimit të Kosovës në Union.
Deputeti nga radhët e Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamentin Evropian (PE), Thijs Reuten, beson se hapi i radhës i Bashkimit Evropian në raport me Kosovën pas liberalizimit të vizave do të jetë procesimi tutje i aplikimit të anëtarësimit të Kosovës në Union.
“Pas vonesave krejtësisht të panevojshme, që nga sot ka hyrë në fuqi udhëtimi pa viza në BE për të gjithë qytetarët e Kosovës. Hapi i radhës: procesimi i aplikimit të Kosovës për statusin e kandidatit në Evropë”, ka shkruar Reuten në platformën sociale, X.
Ndryshe, me fundin e vitit 2023, edhe Spanja përmbyll kryesimin e Bashkimit Evropian, duke ia dorëzua kështu mandatin Belgjikës për gjashtë muaj.
Më 15 dhjetor të vitit të kaluar Kosova dorëzoi zyrtarisht dokumentet e nevojshme për aplikim për anëtarësim në Union.
Që nga ajo kohë e deri më sot dokumentacioni i Kosovës nuk u shqyrtua, ani pse kur kryesimin e BE-së e pati Suedia, pati përpjekje që Këshilli i BE-së të shqyrtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe eventualisht t’i japë mandat Komisionit Evropian për të përpiluar mendimin rreth këtij aplikimi.
Por, as Suedia nuk arriti të sigurojë mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare për një gjë të tillë, ndërsa Spanja ishte ndër vendet që më së shumti e kundërshtonte këtë.
Tash kur Belgjika merr kryesimin e radhës nuk është e qartë nëse do të kthejë në shqyrtim aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, të dorëzuar në fund të vitit 2022 kur kryesimin e kishte Çekia.
“Kjo është edhe çështje ligjore, pasi pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur të gjitha vendet anëtare e në zgjerim vendoset me konsensus. Por, është edhe çështje politike pasi lidhet edhe me sjelljen e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë dhe zbatimin e obligimeve që dalin nga ky proces”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë një diplomat i BE-së.