“Reuters”-i shkruan për Akil Gjakovën: Fituesi i 62 medaljeve kërkohet nga policia për dhunë në familje
Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e publikut për ndihmë në lokalizimin e xhudistit Akil Gjakova, i cili është akuzuar për dhunë në familje.
“Policia e Kosovës po kërkon nga të gjithë qytetarët që kanë informacion për lokacionin e të dyshuarit të njoftojnë stacionin më të afërt policor”, ka thënë policia përmes një njoftimi publik me foton e Gjakovës të bashkëngjitur, pa dhënë detaje për akuzat.
Mediet lokale më herët kanë raportuar se gruaja e tij e ka paraqitur rastin në polici.
Gjakova, 28 vjeç, ka fituar 62 medalje në xhudo, përfshirë gjashtë arta, që nga viti 2011 në gara të ndryshme ndërkombëtare, dhe pritej të merrte pjesë në lojërat olimpike Paris 2024.
Federata e Xhudos e Kosovës ka thënë se është në kontakt me Gjakovën dhe besojnë në pafajësinë e tij, duke thënë se ai është jashtë vendit dhe do të dorëzohet para autoriteteve porsa të kthehet.
Urdhri për arrest ndaj Gjakovës vjen teksa vendi u trondit kur një burrë vrau gruan e tij të martën, pak kohë pas një femicidi tjetër të premten e kaluar kur një burrë vrau ish-bashkëshorten e tij në Ferizaj.