Reuters: Putin këtë javë takohet me Kim Jong Un në Korenë e Veriut
17 qershor 2024
| 17:16
Presidenti rus Vladimir Putin do ta vizitojë Korenë e Veriut të martën dhe të mërkurën, raporton Reuters.
Njoftimi është dhënë nga Kremlini që tha se ky është një udhëtim që nënvizon partneritetin në rritje të Moskës me shtetin bërthamor.
“Me ftesë të Kim Jong Un, Vladimir Putin, do të bëjë një vizitë shtetërore miqësore në Republikën Popullore Demokratike të Koresë më 18-19 qershor”, njoftoi Kremlini.
Sipas Reuters, udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un i bëri një ftesë Putinit gjatë një vizite, shtatorin e kaluar. Putin nuk e ka vizituar Phenianin që nga korriku i vitit 2000.
Pas Koresë së Veriut, Putin do ta vizitojë Vietnamin më 19-20 qershor.