“Reuters”-i shkruan për Albin Tahirin
Dentisti Albin Tahiri ka pritur me vite për t’u bërë garuesi i parë olimpik dimëror i Kosovës dhe tani që ia ka dalë të jetë pjesë e PyeongChang 2018, ai nuk është duke i bërë gjërat shkel e shko.
Kështu e nis lajmin për debutimi e Albin Tahirit në Lojërat Olimpike Dimërore në Korenë Jugore – ku Kosova po përfaqësohet për herë të parë në histori – agjencia ndërkombëtare e lajmeve “Reuters”, përcjell “Express”. Në garën e tij të parë në disiplinën kombinim alpin në konkurrencën e meshkujve të martën, ku shumë skitarë shumë më të njohur se ai u rrëzuan dhe dolën nga shtegu, ai u tregua tejet i vendosur për të arritur deri në fund të shtegut dhe zuri vendin e 37-të, shkruan “Reuters”.
“[Shtegu] ishte vërtet i akullt, prandaj kisha plot vështirësi. Por, kur pashë se të tjetër po rrëzoheshin, vendosa thjesht ta përfundoja garën sepse ishte gara jonë e parë dhe doja ta mbaroja garën e parë në Lojërat Olimpike”, ka thënë Tahiri për “Reuters”.
I lindur në Slloveni nga një nënë sllovene dhe baba shqiptar i Kosovës, Tahiri për një kohë të gjatë ka ëndërruar ta përfaqësojë Kosovën në Lojëra Olimpike, por shteti, të cilit i mungojnë kushte ideale për të rrëshqitur me ski, u pranua nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar vetëm në vitin 2014.
“Ata [Kosova] kanë bjeshkë, por infrastruktura është shumë e keqe. Teleferikët janë shumë të vjetër, veçanërisht tatëpjeta nuk është e përgatitur tërë kohën”, ka shtua ai.
Specialisti i lëshimit, i cili i mbush 29 vjet në enjten dhe ka të afërm kosovarë të shpërndarë deri në Kanada, tashmë ka nisur të mendojë për Lojërat Olimpike në Pekin më 2022. Tahiri thotë se sporti dhe interesat e tij dentar përshtaten: “Me punë private [të dentistit] do të kem më shumë para për të stërvitur”.