‘Reuters’: Shqipëria e votoi qeverinë e parë të mbizotëruar nga gratë
Agjencia e njohur e lajmeve, “Reuters”, ka raportuar për votimin e kabinetit të ri qeveritar në Shqipëri, duke theksuar faktin se kjo është qeveria e parë e mbizotëruar nga gratë që nga hyrja në fuqi e sistemit pluralist para tri dekadave.
Pas një seance parlamentare që zgjati më shumë se 20 orë, Edi Rama është votuar për kryeministër për herë të tretë pas fitores bindëse në zgjedhjet e prillit. Në kabinetin me 17 anëtare, 12 do të jenë gra.
“Beteja kundër diskriminimit gjinor dhe dhunës në familje mbetet shumë e hapur dhe larg fitores. Ka ende forca diskriminuese dhe energji negative që veprojnë sot në shoqërinë tonë në dëm të grave dhe vajzave”, ka thënë Rama para se deputetët ta votonin kabinetin e tij me 77 vota për.
Olta Xhaka do të vazhdojë të shërbejë si ministre e Punëve të Jashtme, ndërsa e ardhura e re, Delina Ibrahimaj, ish-drejtoreshë e autoritetet shtetëror të taksave, do të udhëheqë Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.
Rama ka thënë se luftimi i krimit dhe korrupsionit do të jenë prioritet në mandatin e tretë.
Qeveria e re ka paraparë rritje ekonomike prej rreth 4 për qind në nivel vjetor pas rënies prej 3.3 për qind vitin e kaluar për shkak të pandemisë.
Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe synon që në të ardhmen të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por mungesa e reformave dhe ngurrimi nga anëtaret e BE-së për zgjerim të mëtejmë e kanë ngadalësuar procesin e anëtarësimit.