“Reutersi” paraqet të gjitha problemet e veriut
Pas shtimit të patrullimeve të Policisë së Kosovë në veriun e vendit për shkak të ngjarjeve që u zhvilluan atje në dhjetor të vitit të kaluar, ku serbët lokalë bllokuan rrugët për të protestuar kundër vendimeve të Qeverisë së Kosovës, agjencia e lajmeve Reutres, ka realizuar një kronikë atje.
Ajo zonë është e banuar nga rreth 50,000 serbë vendas, por pothuajse të gjithë oficerët e policisë tani janë nga zonat me shumicë shqiptare që nga nëntori i vitit të kaluar kur rreth 600 oficerë policie lanë punën e tyre për shkak të targave të makinave.
Qeveria në Prishtinë ka thënë se nuk do të lejojë rikthimin në detyrë të policëve që kanë dhënë dorëheqje, dhe për këto vende do të punësohen policë të rinj nga pakica serbe.
Serbët që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës në vitin 2008 dhe duan t’i bashkohen Serbisë, kanë treguar pak ose aspak interes për t’iu bashkuar Policisë së Kosovës.
“Ne nuk do të komprometojmë sundimin e rendit dhe ligjit, integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, as jetën dhe pasurinë e qytetarëve në atë rajon. Për këto çështje nuk mund të ketë kompromis. Ne absolutisht nuk duam një tjetër konflikt në Kosovë”, ka thënë për Reuters Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla.
Diplomatët perëndimorë kanë paralajmëruar për një konflikt të mundshëm nëse Kosova dhe Serbia nuk nënshkruajnë marrëveshje paqeje afatgjatë të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara.
Dhjetorin e kaluar, serbët lokalë bllokuan të gjitha rrugët në pjesën veriore të vendit për tre javë për të protestuar kundër arrestimit të një ish-oficeri të policisë serbe.
Përfundimisht, ata hoqën postblloqet pasi ish-oficeri u vendos në arrest shtëpie.
Ministri i Brendshëm i Kosovës ka akuzuar Serbinë dhe Rusinë për destabilizimin e vendit të tij përmes grupeve kriminale në veri.
NATO ka ende rreth 3,700 paqeruajtës në terren dhe ka kërkuar qetësi, duke thënë se do të ndërhyjë nëse rrezikohet siguria.
Muajin e kaluar, të dërguarit e Bashkimit Evropian, të SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë u takuan me krerët e të dy vendeve për t’i bindur ata që të nënshkruajnë një marrëveshje prej 11 pikash që synon të zbusë tensionet e vazhdueshme që nga lufta e viteve 1998-99.
Diplomatët perëndimorë u thanë të dy vendeve se duhet të deklarojnë deri në mars nëse pranojnë një plan ndërkombëtar për të normalizuar marrëdhëniet ose do të përballen me pasoja nga BE dhe Shtetet e Bashkuara.