Revidimi i listës esenciale të barnave përfundon brenda disa muajsh
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka bërë me dije se revidimi i listës esenciale të barnave do të mundësojë që produktet në listën e re të jenë në shërbim të nevojave të pacientëve, lehtë të qasshme dhe me kosto të përballueshme.
“Sot e mbajtëm takimin e parë të Komitetit për Revidimin e Listës Esenciale të Barnave. Revidimi i Listës Esenciale të Barnave do të na mundësojë që produktet në listën e re të jenë në shërbim të nevojave të pacientëve, lehtë të qasshme dhe me kosto të përballueshme. Në mënyrë që gjithçka të jetë transparente, në këtë takim, por edhe në çdo procedurë tjetër kemi ftuar për monitorim edhe Agjencinë Kundër Korrupsionit, e cila ka shprehur gatishmërinë të kontribuojë gjatë tërë procesit. Në këtë drejtim, në praninë edhe të drejtuesve të kësaj agjencie, anëtarët e Komitetit Teknik për revidimin e Listës Esenciale të Barnave sot nënshkruan edhe Deklaratën kundër konfliktit të interesit. Çdo punë që do të bëhet në këtë revidim, informatat do t’i publikojmë në uebfaqen e Ministrisë, në mënyrë që të kenë qasje të gjitha palët e interesit”, ka shkruar Ismaili në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se revidimi i listës esenciale të barnave pritet të përfundojë brenda disa muajsh.
Sipas Ismailit, një listë esenciale e përgatitur mirë garanton furnizim me barna dhe ulje të shpenzimeve për qytetarët.
“Ne presim që revidimi i Listës Esenciale të Barnave të përfundojë brenda disa muajsh duke lënë kohë që Komiteti Teknik të punojë me shumë kujdes dhe që të bëhet argumentimi i plotë për secilin vendim dhe për secilin produkt. Duke pasur një listë esenciale mirë të përgatitur, garantojmë furnizim me barna dhe ulje të shpenzimeve për qytetarët tanë”, ka theksuar Ismaili.
/Epoka e re/