Revista e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhen, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare pranohet në EBSCO
Pak më shumë se një vit pas marrjes së numrit ISSN, Revista e Seminarit është pranuar në njërën nga platformat me prestigjioze të revistave shkencore EBSCO.
Kjo u bë e mundur falë angazhimit vetëmohues të dekanes Lindita Rugova dhe për shkak të cilësisë së pakontestueshme që e ka revista e institucionit më të madh dhe me më traditë të shkencave albanologjike.
“Një lajm për t’u mbajtur mend. Sapo më erdhi email-i zyrtar me marrëveshjen bashkëngjitur, ku konfirmohet se Revista e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është pranuar nga bordi i platformës EBSCO që të përfshihet zyrtarisht në të. Pas konkurrimit në qershor 2018, në gusht me njoftuan se e kemi kaluar pozitivisht recensionin ndërkombëtar e tash jemi përfshirë në të . Dua te theksoj se kjo është një e arritur shumë e madhe e Fakultetit të Filologjisë sepse mund të jetë (nuk jam 100 % e sigurt) revista e parë shkencore nga Kosova, natyrisht, në bashkëpunim me Fakultetin Histori-Filologji në Tiranë, nga shkencat filologjike që është pranuar në këtë platformë. Urime atyre që me kontributin e tyre e kanë themeluar këtë revistë, atyre që kanë dhënë djersë e mund për ta mbajtur gjallë dhe atyre që e kanë përkrahur gjithmonë dhe kanë besuar në të!”, ka shkruar në llogarinë e saj në “Facebook” Lindita Rugova.
Edhe profesori Rrahman Paçarizi përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se ky është një moment i rëndësishëm i pranimit të cilësisë, angazhimit dhe traditës së Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhen, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
“Si drejtor i SNGJLKSH-së falënderoj dekanen Lindita Rugova, prodekanët Alba Blakaj, e Nysret Krasniqi, ish-bashkëdrejtoren Aljula Jubani, bashkedrejtoren Dhurata Shehri dhe të gjithë bashkëpunëtoret dhe kontribuuesit kryesor që nga Idriz Ajeti, Rexhep Ismajli, Zejnullah Rrahmani, Sabri Hamiti, Rexhep Qosja, Kujtim Shala e deri të pararendësi im akademik Bardh Rugova i cili bëri hapat e parë drejt kësaj arritjeje”, ka shkruar Rrahman Paçarizi.
/Epoka e re/