Revista që e nderoi Navalnyn tërhiqet nga tezgat e Moskës
Një numër i revistës së përjavshme ruse, Sobesednik, kushtuar pjesërisht Alexei Navalnyt, është tërhequr nga tezgat në Moskë, njoftoi bordi i redaktorëve i revistës, teksa autoritetet ruse po vazhdojnë ta luftojnë çdo manifestim publik që e nderon kundërshtarin e ndjerë të Kremlinit.
Vdekja e Navalnyt në një burg të largët të Arktikut u raportua më 16 shkurt, duke nxitur pikëllim dhe zemërim të madh në Rusi dhe nëpër gjithë botën, pasi autoritetet ruse nuk kanë pranuar t’ia dorëzojnë familjes trupin e Navalnyt duke i rritur dyshimet për shkaktarin e vdekjes së tij.
Zyrtarët rusë thanë se shkaktari ishte sindromi “vdekje e papritur”.
Derisa shumica e gazetave të shtypura në Rusi nuk ishin marrë fare me vdekjen e Navalnyt, numri i fundit i Sobesednikut, i cili shfaqte një fotografi të Navalnyt duke buzëqeshur në ballinën e revistës e shoqëruar nga një mbishkrim, “…por ka shpresë!” u lëshua më 21 shkurt.
Ajo përmbante raportime nga përkujtime spontane për vdekjen e Navalnyt në disa qytete ruse dhe komente nga figurat publike, aktivistët për të drejtat e njeriut gazetarët si, fituesi i Çmimit Nobel për Paqe 2021, Dmitry Muratov.