Revolucion në verë te Bayerni, por katër lojtarë nuk do të shiten në asnjë mënyrë
Bayern Munichu po përgatitet për një revolucion të madh në verë pasi ky sezon po shkon drejt dështimit.
Të eliminuar nga Kupa e Gjermanisë dhe pasi kanë mbetur tetë pikë mbrapa Bayer Leverkusenit në Bundesliga, bavarezët do ta kenë shumë të vështirë të fitojnë edhe Ligën e Kampionëve me shumë skuadra të forta të mbetura në garë.
Gjithsesi në verë pritet revolucion dhe i pari që do të largohet është trajneri Thomas Tuchel, derisa rrugën e tij pritet ta ndjekin shumë futbollistë.
Max Eberl është konfirmuar si drejtor i ri sportiv, derisa ai pritet të ketë punë të madhe në afatin kalimtar veror për afrimet dhe largimet nga Allianz Arena.
Megjithatë katër lojtarë janë të paprekshëm sipas asaj që ka raportuar Sky Sport dhe nuk do të shiten në asnjë mënyrë.
Kapiteni Manuel Neuer, mesfushorët Thomas Muller dhe Jamal Musiala si dhe sulmuesi anglez Harry Kane janë lojtarët e paprekshëm te Bavarezët.
Nuk përjashtohet mundësia e shitjes së yjeve si Joshua Kimmich, Dayot Upamecano apo Leroy Sane.
Bayern mund ta mbyll sezonin pa trofe dhe kjo do të ishte hera e parë pas shumë vitesh.