Revolucioni asimetrik i kohës tonë
Prof. Lisen Bashkurti
Rrjetet sociale po ndryshojnë idetë, dëshirat dhe nevojat e njerëzve. Ato kanë sjellë gjithë njerëzimin në duart tona. Ato e kanë bërë boten sa një portokall. Ato po shndërrojnë doktrinën e globalizmit në një realitet të pakthyeshme. Sasia e informacionit është e pakrahasueshme më pak vite më parë. Larmia e informacionit është e pafund. Dinamika e informacionit është marramendëse.
Jemi përballë një revolucioni të vërtetë. Por perballë një revolucioni asimetrik. Asimetrinë e revolucionit të rrjeteve sociale, tendencën e tij, kahjet e lëvizjes dhe të zhvillimit, impaktet kontradiktore nuk diktohen gjithaq nga informacioni që vjen nga këto rrjete, por më së shumti nga niveli obserbues, analitik, seleksionues dhe interpretues i individit, grupeve sociale dhe mbarë shoqërisë.
Shoqëria shqiptare vjen pas një periudhe të gjatë indoktrinimi të centralizuar nga lartë-poshtë, nga një kulturë relativisht e ulet dhe nga një vetizolim i plotë. Përballja e shoqërisë shqiptare me revolucionin informativ të rrjeteve sociale po sjellë një tronditje të thellë ideologjike, politike, ekonomike, sociale, kulturore, morale e shpirtërore. Të tëra së bashku kanë prodhuar një furtunë të vërtetë, fundin dhe pasojat e së cilës askush nuk i parashikon.
Rrjetet sociale janë kanale me shumë burime dhe rrugë më shumë kalime. Janë dominuese dhe të pacensurueshme. E vërteta dhe gënjeshtra, autentikja dhe plagjiatura, inspiruesja dhe provokativja, e arsyeshmja dhe lajthitja, e dobishmja dhe rrënuesja, e drejta dhe e padrejta, njerëzorja dhe kriminalja, bamirësia dhe abuzimi, mirënjohja dhe mosmirënjohja kryqëzohen pambarimisht, duke krijuar piramida informacioni kaotik në mendjet e individit dhe të mbarë shoqërisë. Ka më shumë dilema se kurrë. Ka më shumë kaos se asnjëherë.
Duket sikur rrjetet sociale po prodhojnë djallin. Në të vërtetë ato vetëm e kanë nxjerrë djallin nga shishja. Pasi edhe engjëlli edhe djalli flenë bashkë tek i gjalli. Duket sikur rrjetet sociale po krijojnë anarki. Në fakt ato po zbulojnë anarkinë në kokat dhe dëshirat e njeriut dhe njerëzimit. Duket sikur rrjetet sociale po krijojnë shthurje morale. Në fakt vetëm po e veshin lakuriq moralin e shtirur. Duket sikur po rrënojnë të vërtetën. Në fakt e vërteta qe kur ka lindur është sfiduar nga gënjeshtra. Duket sikur të gjithë po na shtyjnë drejt “pranverave arabe”. Në fakt ne po ecim vetë drejt “stuhive të një rendi të ri botëror”.
Në shoqërinë shqiptare po ndodh revolucion. Por jo revolucion klasik. Është revolucion mental e kulturor. Të pasurit e të varfrit, të diturit dhe injorantët, shumicat dhe pakicat, të rinjtë dhe të moshuarit, meshkujt dhe femrat, të pushtetshmit dhe të dobëtit, entuziastët dhe depresivët, të gjithë të barabartë përballë rrjeteve sociale, të gjithë ndjehen të çmuar dhe të diskriminuar njëkohësisht. Njerëzit në shoqërinë shqiptare po marrin informacion më shumë sesa kanë formim. Po u rritet oreksi më shumë sesa kanë dhëmbë. Pra shkalla e rrezikut është rritur. Parandalimi është i dobët. Reagimi kontradiktor.
A mund të mënjanohet ky revolucion informativ. Assesi jo. Ai vetëm mund të sfidohet. Dhe sfida nuk përballet nga jashtë brenda, por nga brenda jashtë. Globalizmi nuk është rendje mbas gjithësisë, por ardhja e gjithësisë brenda nesh.
Duket sikur e keqja ka kapluar njerëzimin, por në fakt njerëzimi vetëm po e zbulon atë.
Duket sikur gënjeshtra po varros të vërtetat, por në fakt të vërtetat po mësohen më shumë se kurrë. Duket sikur të fuqishmit po shtypin të dobëtit, por në të vërtetë të dobëtit janë më të fuqishëm se asnjëherë dhe të fuqishmit janë më të dobët se kurrë. Fuqia dhe dobësia tanimë varen nga fjala e shprehja e saj.
Rrjetet sociale po lënë pas mjetet e tjera të komunikimit. Legjitimiteti i çdo gjeje është në provë të përhershme. Transparenca po tejkalon çdo cak limitues. Përgjegjshmëria po shndërrohet në tipar individual. Participimi i çdo njërit në punët e gjithkujt po ndodh me shumë se kurrë.
Në fund të fundit revolucioni informativ i rrjeteve sociale po dëshmon se njerëzimi në tërësi dhe shoqëria shqiptare në veçanti paskan vuajtur më shumë për informacion se sa për bukë dhe liri. Prandaj të gjithë ndjehen mirë dhe keq. Ndjehen të vlerësuar dhe të fyer. Të mbrojtur dhe të kërcënuar. Por të gjithë ndjehen me të gjallë se kurrë. Të gjithë ndjehen se janë pjesë e kësaj botë. Njerëzit shndërrohet në foto me selfie. Selfiet bëhen njerëz me fjalë. Ëndrrat bëhen realitete dhe realitetet ëndrra. Virtualiteti bëhet mënyrë jetese. Jetesa përjetohet përmes virtualitetit. Të gjithë jetojmë në dy gjendje: në realitetin vulgar dhe në atë virtual. Atë që nuk e realizojmë në realitet e realizojmë në virtualitet. Realja dhe virtualja ndërveprojnë brenda nesh deri në pa kufij midis tyre.
Ky është revolucioni asimetrik i informacionit të rrjeteve sociale. Njerëzimi ka gjetur atë që ka kërkuar. Njerëzimi ka kërkuar atë që ka gjetur. Pra, njerëzimi është kthyer tek vetvetja. Asimetria e revolucionit të informacionit të rrjeteve sociale ka rrezuar muret brenda njeriut dhe njerëzimit.
Sot njerëzit flasin me pak, por komunikojnë më shumë. Njerëzit janë të heshtur, por me shumë aktiv. Njerëzit janë të mbyllur në vetvete, por më të hapur para botes. Fatin e këtij revolucioni do ta përcaktojë beteja midis të vërtetës dhe të pavërtetës. Në thelb është revolucioni më i madh kulturor në historinë e njerëzimit. E ardhmja i përket shoqërive të kulturuara. Prandaj shoqëria shqiptare më shumë se për çdo gjë tjetër ka nevojë për kulturë. Përndryshe na pret kaos i paparashikueshëm dhe tjetërsim i pashmangshëm.