Revolucioni i vitit 1821 në Greqi ishte revolucion i shqiptarëve!
“Ata që u çliruan me gjakun e mundimet tona janë armiqtë më të këqijtë tanë” (Fan Noli)
Nga: Alba Haruni
Pas revolucionit francez 1789-1799 nisi një epokë e re që tronditi nga themelet Evropën e vjetër. Jehona e tij i dha jetë lëvizjeve të përgjithshme, të cilat kërkonin në bazë të bashkëjetesës politike dhe shoqërore: lirinë, barazinë dhe vëllazërimin e të gjithëve, garancinë dhe pacënueshmërinë e pronës, laicitetin e shtetit, tolerancën fetare, uniformitetin administrativ.
Këto parime u përhapën nga Franca në Evropë nëpërmjet armatave të Napoleonit. Vazhdimi i këtyre ideve ishte epoka e Nacionalizmit dhe e Revolucionit Industrial që mund të konsiderohet si epoka, në të cilën u trondit përfundimisht Evropa e vjetër e aristokracisë, e monarkive absolute, e shoqërive të Regjimit të Vjetër, por në të cilën u shpall njëkohësisht Evropa e kombeve, e regjimeve liberale, konsitucionale dhe parlamentare.
Mbi këtë shtrat historik, mori jetë dhe u zhvillua, i ashtuquajturi Revolucioni Grek (1821-1832).
Interesi i Evropës Perëndimore mbi Greqinë e Lashtë krijoi filo-helenizmin. Klasa sunduese konservatore e Britanisë në veçanti ishte shumë e interesuar për Greqinë, për shkak të shkollimit të tyre mbi klasicizmin dhe kjo solli mbështetjen e Britanisë për Revolucionin Grek për pavarësi. Në fakt, termi grek në shekullin XIX ka patur domethënie politike dhe jo atë kombëtare dhe gjuhësore siç e ka sot. Kështu, kryengritjen e vitit 1821, fuqitë e mëdha evropiane e shfrytëzuan duke i pagëzuar kryengritësit me emrin e përbashkët grekë për të realizuar Greqinë politike të sotme. Pra, të gjithë kryengritësit e vitit 1821, arvanitasit, helenasit, vllehët dhe bullgarët, në mënyrë të barabartë, pas krijimit të mbretërisë dhe më vonë të shtetit grek, morën emrin e përbashkët politik kombëtar; grek. Vetë helenasit, në shekullin XVIII dhe në fillim të shekullit XIX, parapëlqenin të quheshin romei dhe gjuhën e tyre romaikis.
Në historiografinë botërore, dhe as në rrëfimin e historianëve grekë, nuk përmendet data e 15.01.1821, kur Kuvendi i Kapedanëve të Rumelisë shpalli “Aleancën e Bashkimit Kombëtar” të shqiptarëve, për nisjen e luftës çlirimtare me thirrjen: “Nderin dhe Kombin i kemi bashkë – Të krishterë e myslymanë!”. Është i vetmi organizëm luftarak, i cili filloi dhe drejtoi luftën çlirimtare të 1821-it në tokën e Greqisë së ardhshme.