Gjithashtu, e urdhëroi ushtrinë të rivendoste rendin, duke e shndërruar Kinën në diktaturë ushtarake që zgjati deri kah viti 1971. Teksa ushtria luftonte për ta vënë situatën nën kontroll, numri i të vdekurve po shtohej.
Mes vitit 1971 dhe përfundimit zyrtar të Revolucionit Kulturor më 1976, një pamje e normalitetit rikthehet në Kinë. Presidenti i ShBA-së, Richard Nixon, madje e vizitoi vendin në shkurt të vitit 1972, në një vizitë historike që rivendosi lidhjet midis Uashingtonit dhe Pekinit.
Ishte kjo, sipas fjalëve të Nixonit, “java që ndryshoi botën”.
Historianët besojnë se diku midis 500 mijë dhe dy milionë njerëz humbën jetën si rezultat i Revolucionit Kulturor.
Rajoni më i prekur ishte provinca jugore e Guangsi, ku pati raportime për vrasje masive dhe madje edhe për kanibalizëm.
Akte të tmerrshme barbarie ndodhën gjithashtu në Mongolinë e Brendshme, ku autoritetet nisën një fushatë të egër torture kundër separatistëve të supozuar.
Edhe macet e Kinës vuajtën, derisa Rojet e Kuqe u përpoqën të eliminonin atë që ata pretendonin se ishte simbol i “dekadencës borgjeze”. “Duke ecur nëpër rrugët e kryeqytetit, në fund të gushtit [1966], njerëzit panë mace të ngordhura të shtrira buzë rrugës, me putrat e përparme të lidhura”, shkruan Dikötter.
Ndryshe nga besimi popullor, qeveria ishte përgjegjëse për shumicën e gjakderdhjes – jo Garda e Kuqe.
“Lexojmë shumë histori të tmerrit të nxënësve që rrahin për vdekje profesorët e tyre në shkollë”, thotë Andrew Walder, autori i librit Kina nën Maon.
“Bazuar në historitë e publikuara të vetë qeverisë, më shumë se gjysma, nëse jo dy të tretat e njerëzve që u vranë ose u burgosën gjatë Revolucionit Kulturor, e pësuan nga viti 1968 e deri në fillim të vitit 1970” teksa ushtria ndërhynte për të ndalur dhunën.
Jeta e disa prej figurave më të fuqishme të partisë komuniste, përmbyset nga turbulencat – duke përfshirë liderin e ardhshëm Deng Siaoping i cili u spastrua në vitin 1967, si dhe Si Zhongsunin, babanë e presidentit aktual të Kinës, Si Xhinping, i cili u poshtërua, u rrah publikisht dhe u internua.
Gjysmë motra e presidentit Si, Si Hepingu, thuhet se pas persekutimit ka bërë vetëvrasje.
Teksa kaosi përfshiu Pekinin, në verën e vitit 1966, diplomatët e huaj u gjendën përball stuhisë. “Tapat e veshit u bënë çështje standarde e Ambasadës”, shkruan ish-ambasadori britanik Percy Cradock, në kujtimet e veta, duke kujtuar sesi një kakofoni e këngëve që lavdëronin “Kryetarin tonë të dashur Mao”, u bënë kolona zanore të jetës në kryeqytet.
Në vitin e ardhshëm, gjërat kishin marrë një kthesë më të keqe. Garda e Kuqe rrethoi ambasadat sovjetike, franceze dhe indoneziane, dogji makinën e ambasadorit mongol dhe jashtë misionit britanik e varën tabelën ku shkruhej: “Shtypeni imperializmin britanik”! Në një natë, në fund të gushtit, diplomatët u detyruan të iknin nga Ambasada britanike, pasi ishte plaçkitur dhe djegur. Protestuesit brohoritnin: “Vritni! Vritni”!
Anthony Grey, gazetar i Reuters-it në Pekin, kaloi më shumë se dy vjet në robëri pasi u arrestua nga autoritetet kineze në korrikun e vitit 1967.
Manuali zyrtar i Revolucionit Kulturor ishte Libri i kuq i vogël, një koleksion citatesh nga Mao – me madhësi xhepi – që ofronte një plan për jetën e Gardës së Kuqe.
“Jini të vendosur, mos kini frikë nga sakrifica dhe kapërcejeni çdo vështirësi për ta arritur fitoren”, thoshte një këshillë e famshme.
Në kulmin e Revolucionit Kulturor, seancat e leximit të Librit të Kuq të Vogël u mbajtën në autobusët publikë dhe madje edhe në qiejt mbi Kinë teksa, për pasagjerët, stjuardesat predikonin fjalët e mençura të Maos. Gjatë viteve 1960, Libri i kuq i vogël thuhet se ka qenë libri më i shtypur në botë, me më shumë se një miliard kopje.
Revolucioni Kulturor zyrtarisht mori fund kur Mao vdiq më 9 shtator 1976, në moshën 82-vjeçare.
Në një përpjekje për të vazhduar tutje – dhe për të shmangur diskreditimin e tepërt të Maos – liderët e partisë urdhëruan që e veja e tij, Xhang Qing, si dhe një grup i bashkëpunëtorëve, të gjykoheshin publikisht për organizimin e kaosit. Ata njiheshin si “Banda e katërshes”.
Xhang kundërshtoi akuzat duke pretenduar se ajo kishte qenë thjesht “një këlysh i Maos”, por u dënua me vdekje në vitin 1981 – më vonë dënimi iu reduktua me burgim të përjetshëm. Në vitin 1991, në prag të 25-vjetorit të Revolucionit Kulturor, ajo vari veten.
Mao kishte shpresuar se lëvizja e tij revolucionare do ta kthente Kinën në një fanar të komunizmit. Por, shumëkush beson se pati efektin e kundërt, duke ia hapur rrugën përqafimit të kapitalizmit nga Kina – në vitet 1980 – dhe bumit të saj pasues ekonomik.
“Verdikti i zakonshëm është: asnjë revolucion kulturor, asnjë reformë ekonomike”, shkruajnë Roderick MacFarquhar dhe Michael Schoenhals në librin e tyre Revolucioni i fundit i Maos. “Revolucioni Kulturor ishte fatkeqësi kaq e madhe saqë provokoi një revolucion edhe më të thellë kulturor, pikërisht atë që Mao synonte ta parandalonte”.
Një tjetër trashëgimi e qëndrueshme, thonë ekspertët, është obsesioni i pushtetarëve të sotëm për stabilitetin dhe kontrollin politik.
Udhëheqësit si Si Xhinpingu – që ishte nxënës 13-vjeçar, në Pekin, atëherë kur filloi revolucioni kulturor – kishte parë kaosin dhe disa madje morën pjesë në dhunë.
“E panë Kinën që ishte krejtësisht kaotike, për rreth dy vjet, si dhe atë mizori”, thotë Walder, ekspert i Universitetit Stanford për atë periudhë. “Humbjen e kontrollit të partisë e shohin si diçka që do të shpie në kaos”.
Dikötter beson se përmbysja shërbeu për të shkatërruar, gjithashtu, çdo besim të mbetur që populli kinez kishte për Mësuesin e Madh. “Edhe para se Mao të vdiste, njerëzit po e varrosnin maoizmin”.
Pas vdekjes së Maos, Partia Komuniste bëri disa përpjekje për t’u përballur me tmerret e dekadës së mëparshme. Disa u dënuan për dhunën, ndërsa u rehabilituan të spastruarit apo ata që padrejtësisht u persekutuan.
Por, këto përpjekje u shuan në fillim të viteve 1980, pasi Pekini u bë më i kujdesshëm për ta implikuar veten në vrasje – në një kohë të kundërshtimit të shtuar të të rinjve kinezë. Studiuesit u dekurajuan që të gërmojnë për të vërtetën e papërshtatshme të partisë. /Telegrafi/