Revolverët, arma më e importuar në Kosovë
Janë mbi 5000 armë që kanë arritur të importohen në Kosovë gjatë 17 muajve të fundit. Bëhet fjalë për armët që hyjnë në mënyrë legale në përputhje me ligjet ekzistuese nga kompanitë e licencuara nga autoritetet e shtetit.
Vetëm gjatë muajve janar-maj 2018, Dogana ka regjistruar të jenë importuar 1190 armë të kalibrave të ndryshëm.
Në një përgjigje për “Indeksonline”, Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se vlera e këtyre armëve të deklaruara me sasi të importuara është rreth 100,000 euro vetëm gjatë pjesë së parë të këtij viti.
Ndërkaq, në 17 muajt e fundit ashtu siç ceket në statistika, vlera e armëve të importuara kapë shifrën mbi 3 milion e 393 mijë euro.
Ndër llojet më të importuara të armëve del të jenë revolverët, ku sipas statistikave gjatë vitit të kaluar doganat kanë regjistruar 2.375 cope.
Llojet tjera si pushkët sportive, të gjuetisë apo të garave të qitjes radhiten në vendin e dyte me 957 cope të importuara.
Ndërkaq edhe në muajt janar-maj 2018, janë importuar 696 revolver, 282 pushkë sportive dhe 32 çifte të deklaruara me sasi të cekur.