Rexha: Curri e ka ndryshuar Prishtinën
Ish-futbollisti Kastriot Rexha ka thënë se trajneri i ri i Prishtinës, Debatik Curri, ka treguar një performancë të mirë, që nga emërimi i tij si trajner, pas shkarkimit të Ismet Munishit.
Rexha tha se Prishtina ka reflektuar dhe ka treguar vlera shumë të larta, pas ardhjes së Currit.
“Në një moment jo të mirë e ka marrë skuadrën, mendoj se prej marrjes skuadra ka reflektuar në njëfarë forme dhe ka treguar vlera shumë të larta, përveç atyre humbjeve kundër Dukagjinit dhe Dritës, edhe pse edhe në këto humbje nuk është se nuk ka treguar lojë të mirë”, tha Rexha në Sports Show të Klan Kosova.
“Prishtina ka krijuar një lojë të mirë, përkundër asaj që edhe me Ismetin (Munishin) ka pasur një lojë të mirë, mirëpo, nganjëherë rezultatet i mbajnë trajnerët”, u shpreh tutje ai.
“Sa i përket finales, është një arritje shumë e madhe, pasi që dihet se të fillosh si trajner dhe të shkosh drejt në finale është një vlerë e madhe për ta dhe një motivim për të ardhmen”.
Sa i përket finales së Kupës së Kosovës, Rexha tha se Gjilani e ka pasur më të vështirë arritjen deri këtu, në krahasim me Prishtinën. Megjithatë, ai tha se secila nga dy skuadrat që do ta fitojë finalen, do ta fitojë me meritë.