Rexha: Debati për trajnerët nga Shqipëria, i panevojshëm

06 prill 2018 | 18:53

Kastriot Rexha e ka vlerësuar të panevojshëm debatin për trajnerët nga Shqipëria që janë të angazhuar në futbollin e Kosovës.

Trajneri i skuadrës së Llapit, Tahir Batatina, ishte i pari që e filloi debatin lidhur me trajnerët nga Shqipëria që punojnë në Kosovë. Strategu llapjan kishte paralajmëruar se ata shumë shpejt do të rikthehen përmes autostradës dhe trajnerët në Kosovë do të kenë mundësi më të madhe për t’u angazhuar në klubet elitare. I fundit që ka folur për këtë debat është futbollisti Kastriot Rexha, i cili ka bërë karrierë edhe në futbollin e Shqipërisë. Ai e ka quajtur debat të padobishëm për futbollin e Kosovës pasi, sipas tuj, ardhja e trajnerëve nga Shqipëria e ka pasuruar Superligën. “Është debat shumë i panevojshëm, pasi të gjithë ne jemi të një gjaku dhe ardhja e trajnerëve nga Shqipëria në futbollin e Kosovës vetëm sa e ka begatuar dhe e ka bërë më interesante Superligën. Nuk i kontribuojmë futbollit me debate të tilla, por të gjithë duhet ta ulim kokën dhe të punojmë më shumë”, ka thënë Rexha për “Epokën e re”.

Në këtë edicion në elitë shumë skuadra po luftojnë për titull të kampiones, kurse e para në tabelë është Drita e drejtuar nga Bekim Isufi. Më pas renditen Prishtina e Mirel Joses, Liria e Blendi Shkëmbit dhe Feronikeli i Sulejman Starovës. Sulmuesi Kastriot Rexha, i cili është pjesë e Dritës, ka shprehur besim të plotë se në fund triumfues do të dalë trajneri i tij, Bekim Isufi. “Ne po e udhëheqim garën për titull. Cilësia e skuadrës më bënë optimist të them se trajneri ynë, Bekim Isufi, do të triumfojë në këtë garë me trajnerët nga Shqipëria”, ka shtuar Rexha, i cili në të kaluarën ka qenë pjesë e skuadrës së Vllaznisë nga Shkodra, raporton “Epoka e re”.

Ndeshjen e radhës Drita e Gjilanit e zhvillon ndaj Besës së Pejës, kurse kjo ndeshje është e veçantë për sulmuesin prishtinas. “Ndeshja e radhës ka domethënie për mua se kam luajtur tre vjet për skuadrën e Besës dhe kam kaluar shumë mirë duke regjistruar edhe rezultate si triumfi në Kupën e Kosovës. Mirëpo tash tri pikët ndaj Besës janë jetike për skuadrën tonë, pasi na japin mundësinë ta mbajmë diferencën me Prishtinën në tri pikë”, ka shtuar Rexha, i cili hapat e parë në futbollin profesionist i mori te skuadra e 2 Korrikut, kurse më pas ka luajtur edhe për Hysin, KEK-un, Trepçën ’89, Prishtinën dhe besën.

(Veton ZYMBERI)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ronaldo është në një formë perfekte për të qëndruar pushim:…