Rexha: Drita e fiton titullin
Sulmuesi i FC Drita, Kastriot Rexha është i bindur se skuadra e tij mund ta fitojë titullin e kampionit në Kosovë. Në fundjavë do të rinisin ndeshjet e Superligës të cilat janë ndërprerë rreth tre muaj më parë për shkak të koronavirusit.
Rexha në një bisedë për “Gazeta-Topi”, ka thënë se skuadra e tij është duke u përgatitur mjaft mirë për rifillimin e garave. “Po, përgatitjet janë duke shkuar shumë mirë. Jemi në ditët e fundit para ndeshjeve dhe kemi besim tek skuadra”, ka thënë Rexha.
Ish-sulmuesi i disa skuadrave elitare, por që karrierë ka bërë edhe në Shqipëri, mendon se Drita ka skuadër më lojtarë që kanë përvojë të cilët mund ta sjellin titullin e kampionit në Gjilan.
“Mendoj së Drita ka skuadër të mirë. Ka lojtarë më përvojë që në fund edhe mund ta fitojnë titullin e kampionit”, ka theksuar sulmuesi prishtinas. Drita aktualisht është e dyta me 43 pikë, vetëm një më pak së lideri i tabelës, Ballkani. Kujtojmë së skuadra e cila del kampione në fund të sezonit, do ta përfaqësojë Kosovën në Evropë bashkë me nënkampionin dhe fituesin e Kupës së Kosovës.