Rexha: Duhet ta eliminojmë Ferizajn, synojmë Kupën
Sulmuesi Kastriot Rexha ka paralajmëruar se skuadra e Feronikelit do ta sigurojë kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës.
Futbollisti Kastriot Rexha është ndër pikat më të forta në këtë kampionat te skuadra e Feronikelit e cila është nënkampione vjeshtore dhe një nga favoritet kryesore në garën për titull dhe Kupë. Sulmuesi prishtinas për “Epokën e re” ka thënë se përballja e së shtunës në çerekfinale të Kupës ndaj Ferizajt është shumë e rëndësishme për “Niklin”, kurse është optimist se do të arrihet kualifikimi në gjysmëfinale.
Sulmuesi Kastriot Rexha ka paralajmëruar se skuadra e Feronikelit do ta sigurojë kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës. “Në Ferizaj do të jetë ndeshje e rëndësishme për ne pasi synojmë ta ndjekim edhe Kupën. Shpresojmë të kalojmë këtë ndeshje. Kjo është ndeshja e parë për sezonin pranveror. Nëse e nisim me sukses, mund të jetë e rëndësishme edhe për ndeshjet e radhës në kampionat”, ka thënë Kastriot Rexha, i cili ka folur edhe për fazën përgatitore që skuadra e drejtuar nga Zekrija Ramadani e bëri në Turqi. “Ka qenë mjaft efektive faza përgatitore në Turqi dhe jemi të kënaqur shumë me rrjedhën e deritashme të kësaj faze, pasi kemi pasur edhe ndeshje miqësore me kundërshtarë të fortë dhe kemi treguar se kemi skuadër cilësore”, ka shtuar ai.
Pavarësisht prej fondit të madh të futbollistëve, drejtuesit e Feronikelit nuk qëndruan duarkryq në afatin kalimtar të janarit, pasi në Drenas sollën gjashtë futbollistë: Riza Zhdrellën, Met Millakun, Adenis Shalën, Hamed Konen, Esat Jasharin. Rexha është shprehur i kënaqur me reagimin e klubit, kurse rikthimi i Hamed Kones beson se do t’i hyjë shumë në punë skuadrës së Feronikelit pasi që ka përvojë të madhe. “Transferimet e ardhura janë për të mirën e skuadrës. Normalisht se e shtojnë konkurrencën dhe rrisin nivelin e lojës. Shpresoj të komponohen shpejt dhe besoj se do të jenë ndihmesë e madhe në rrugëtimin drejt arritjes së synimeve. Kone është lojtar me përvojë dhe besoj se do të na hyjë në punë”, ka deklaruar Rexha.
Skuadra e Feronikelit në vjeshtë pati paraqitje shumë të mira dhe për shumë kohë ishte lidere e elitës, kurse nga shtatëmbëdhjetë ndeshjet e zhvilluara, ka arritur të regjistrojë dymbëdhjetë fitore, tri barazime dhe dy humbje.
/Veton ZYMBERI/