Rexha fitoi titullin dhe Kupën, por nuk luajti në Evropë

09 korrik 2018 | 22:00

Sulmuesi Kastriot Rexha është ndër të paktët futbollistë në Kosovë që ka arritur të dalë fitues i Kupës dhe i titullit të kampiones, por që nuk është paraqitur në garat evropiane. Ai ka thënë të dielën për “Epokën e re” se ndihet krenar që ka kontribuar në suksesin e Besës, më pas edhe të Dritës, derisa një gjë të tillë synon ta bëjë edhe në skuadrën e Feronikelit.

Kastriot Rexha është një nga lojtarët më të mirë në vitet e fundit në futbollin e Kosovës, por jo edhe ndër ata që kanë shumë fat. Sulmuesi shtatlartë nga kryeqyteti arriti që në dy edicionet e fundit të shijojë dy trofetë më të vlefshëm në futbollin e Kosovës, titullin dhe Kupën, të cilët u mundësojnë skuadrave fituese daljen në garat ndërkombëtare, por Rexha në të dyja rastet dështoi të paraqitet në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës. Në edicionin 2016/2017, sulmuesi ishte pjesë e Besës nga Peja me të cilën arriti të dalë fitues i Kupës, por për shkak të moslicencimit të skuadrës pejane në garat e Ligës së Evropës u paraqit nënkampionia e Kosovës, Prishtina.

“Ishte një vit i suksesshëm për Besën në atë edicion, pasi gjatë gjithë edicionit nga kanë përcjellë shumë probleme. Fatkeqësisht, klubi nuk arriti të licencohet dhe nuk patëm të drejtën të luajmë në Evropë”, ka thënë Rexha për rastin e parë të dështimit që të paraqitet dhe të shënojë gol në arenën ndërkombëtare.

Më pas, Rexha u transferua te Drita dhe pas një edicioni të shkëlqyeshëm arriti ta fitojë titullin e kampiones, por prapë ai nuk u paraqit në Evropë. Këtë herë dështoi marrëveshja për ta vazhduar kontratën me skuadrën nga Gjilani dhe përfundimisht vendosi të transferohet në Drenas te skuadra e Feronikelit. “Jam shumë i lumtur që kam kontribuar në suksesin e madh të skuadrës së Dritës. Kemi punuar të gjithë nga fillimi e deri në fund për ta arritur titullin e kampionit, kurse me këtë rast skuadra e fitoi të drejtën e pjesëmarrjes në garat e Ligës së Kampionëve, por unë nuk arrita marrëveshje të re me drejtuesit e klubit”, ka deklaruar ai.

Drita është paraqitur mirë në dy ndeshjet e para dhe tash do të luajë ndaj kampiones së Suedisë, Malmos. Rexha i ka uruar suksese edhe në këtë ndeshje ish-skuadrës së vet. “Drita është paraqitur mirë dhe tash e ka një ndeshje të vështirë para vetes. Besoj se do të ketë një paraqitje të mirë edhe kësaj radhe. Paraqitja e Dritës dhe Prishtinës në këtë edicion në garat ndërkombëtare është mjaft pozitive për futbollin e Kosovës”, ka shtuar ai.

Sulmuesi Kastriot Rexha karrierën futbollistike do ta vazhdojë në skuadrën e Feronikelit. Ai e pranoi ofertën e kësaj skuadre, ani pse ofertat në drejtim të tij ishin nga shumica e klubeve elitare të Kosovës.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Robert Shala nga Kosova tash e dy vjet është pjesë…