Rexha: Kosovën para EQAR-it e paraqiti keq qeveria
Ish-kryetari i Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Blerim Rexha, ka thënë se ai nuk e ka paraqitur Kosovën keq para Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).
Sipas tij, një gjë të tillë e kanë bërë kryeministri dhe ministri i Arsimit.
Ai në “Interaktiv” të “KTV”-së i është kundërpërgjigjur kryeministrit Ramush Haradinaj për akuzat se ka shkruar letër ku kishte paraqitur keq Kosovën para EQAR-it e që më pas shpiu në përjashtimin e AKA-së nga kjo agjenci. Rexha thotë se vendimi i Haradinajt për shkarkim të bordit të AKA-së ishte faktori kryesor për largim të Kosovës nga EQAR-i.
“Kosovën shumë keq e ka paraqitur kryeministri me një vendim të tillë. Unë kam shkruar një letër dhe i kam thënë se nuk jam më president i AKA-së dhe arsyet nuk i di as unë dhe letrën që e kam shkruar publike për kryeministrin dhe atë ja kam dërguar EQAR-it. Raportimi është kërkesë ligjore. Aty ka përgjegjësi ligjore”, ka thënë Rexha.
Rexha ka shtuar po ashtu se është habitur që kryeministri e quajti hajn ordiner dhe thotë se ndjen keqardhje për këtë fjalor nga foltorja e Kuvendit. Rexha ka thënë se ky fjalor i Haradinajt vjen për shkak se ai ka kuptuar gabimin për shkarkim të bordit të AKA-së.
“Në rend të parë jam habitur që një ton i tillë vjen nga kryeministri dhe ndjej keqardhje për formën se si kryeministri nga vendi ku duhet të përçohet shpresa për arsimin ai thjesht përmendi emrin tim pa ndonjë fakt të bazuar, më quajti hajn, por siç e kam thënë nuk ndihem i fyer nga kjo shpifje e kryeministrit. Po tentoj ta kuptoj kryeministrin për shkak të vendimeve që ka marrë se ky vendim popullist i ka shkaktuar dëm arsimit dhe studentëve të Kosovës. E kuptoj mllefin e tij politik dhe dëshiron të gjejë një viktimë”, është shprehur Rexha, i cili ka pyetur përse janë shkarkuar të gjithë anëtarët, nëse shkaktar ka qenë pozicionimi i tij në PDK.
Sipas Rexhës, Kosova tani duhet të riaplikojë për anëtarësim në EQAR sepse me ankesë vështirë që do të mund të kthehet