Rexha: Marrëveshje nuk kam me asnjë skuadër, bisedime po
Sulmuesi Kastriot Rexha ka thënë për “Epokën e re” se nuk ka asnjë marrëveshje të arritur me ndonjë klub, por vetëm bisedime. Ai synon të luajë me Dritën në Ligën e Kampionëve dhe më pas do ta marrë vendimin se ku do të luajë në sezonin e ardhshëm. Disa skuadra vendore, një nga Maqedonia dhe disa nga Shqipëria, po e kërkojnë autorin e 14 golave në Superligë.
Një nga sulmuesit më të mirë në edicionin e sapopërfunduar në elitën e futbollit të Kosovës, Kastriot Rexha, ka konfirmuar të dielën për “Epokën e re” se nuk ka asnjë marrëveshje me ndonjë skuadër tjetër, por vetëm bisedime. Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që të mbetet pjesë e Dritës edhe në edicionin ri.
“Unë ende jam duke u stërvitur me Dritën dhe kemi filluar të përgatitemi për ndeshjet në Ligën e Kampionëve. Pra, marrëveshje nuk kam me asnjë skuadër, bisedime po. Aktualisht kam kontratë që me lidh me Dritën deri në përfundim të raundit të parë kualifikues të cilën e kam nënshkruar një vit më parë dhe do ta respektoj, pavarësisht se çfarë do të vendosë Drita”, ka thënë Rexha.
Sulmuesi kryesor që e udhëhoqi Dritën drejt titullit të kampiones ka thënë se ofertat janë të shumta si nga klubet vendore, po edhe nga Shqipëria. “Kam shumë oferta dhe nuk kam dëshirë t’i jap emrat e skuadrave që më kanë kontaktuar. Krejt çfarë mund të them tash është se janë disa skuadra nga Superliga e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë. Një ofertë e kam edhe nga një skuadër nga Maqedonia dhe një në Ligën e Parë këtu në Kosovë. Jam në bisedime edhe me skuadrën e Dritës për mundësinë e vazhdimit edhe për kampionatin e ardhshëm”, ka deklaruar ai.
Skuadrat që e kanë kontaktuar sulmuesin prishtinas në Kosovë janë Feronikeli, Prishtina dhe Besa. Rexha në të kaluarën ka luajtur për Prishtinën, Besën, Trepçën ’89, Hysin, 2 Korrikun dhe Vllazninë e Shkodrës.
Fazliu lë Dritën për Feronikelin
Ndryshe nga Kastriot Rexha, Astrit Fazliu nuk ka hezituar shumë për ta lënë skuadrën e Dritës me të cilën është shpallur kampion në Superligë. Fazliu që ka bërë karrierë edhe në Shqipëri e Maqedoni të shtunën ka nënshkruar kontratën dhe më pas është prezantuar nga Feronikeli. “Falënderoj ekipin e Dritës për një vit që kaluam bashkë, kurse qëllimin që e kishim për të sjellë një trofe në Dritë ia arritëm. Falënderoj stafin teknik, kryesinë e klubit. Një falënderim i veçantë shkon për tifozët ‘Intelektualet’ të cilët na mbështeten në çdo ndeshje”, ka thënë Fazliu.
/Veton ZYMBERI/