Rexha: Me Ligjin për KPM-në, mazhoranca synon disiplinimin dhe kontrollimin e mediave
Kuvendi i Kosovës, pa prezencën e opozitës, ka miratuar Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe atë për Komisionin e Pavarur për Media.Në PDK thanë se këto dy ligje do t’i dërgojë në Kushtetuese, ndërsa edhe ambasadorët e huaj u ankuan se sugjerimet e tyre nuk u morën parasysh.
E kryetari bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha, vlerëson se ajo çfarë kemi parë sot në Kuvendin e Kosovës është një fatkeqësi dhe jo befasi, dhe se ligji për KPM-në ka qenë në mesin e tri ligjeve për të cilat Bashkimi Evropian ka tash e disa javë që i ka bërë thirrje mazhorancës që të mos i votojë për shkak se nuk i përmbushin standardet evropiane.“Ne si AGK ka shumë kohë që kemi ngritur zërin kundër përpjekjeve të qeverisë për ta miratuar ligjin në formën e tillë dhe i kemi dhënë edhe vërejtjet tona, sugjerimet tona që janë publike, por mbi të gjitha organizatat kryesore, institucionet kryesore ndërkombëtare janë bërë bashkë në kuptim që Bashkimi Evropian, OSBE-ja dhe Këshilli i Evropës ka sjellë në Kosovë një eksperte të mediave, e cila e ka parë ligjin, ka folur me të gjithë aktorët dhe ka ardhur me konkluzon që shumica dërrmuese e këtij ligji nuk i përmbush standardet evropiane, nuk i përmbush standardet e Këshillit të Evropës, ku Kosova synon të anëtarësohet shumë shpejt, dhe si i tillë i ka bërë thirrje Qeverisë, Kuvendit që ta që ta kthejë prapa dhe të ketë një përfshirje më të madhe në hartimin e tij”.
“ Por indikacionet ishin të tilla që Qeveria dhe partia në pushtet nuk do t’i marrë parasysh vërejtjet e ndërkombëtarëve dhe e kemi parë as të vendorëve – që na merr më pak seriozisht mbase, dhe e pamë që sot mezi e bënë kuorumin, pra sikurse edhe herëve të tjera që gjashtëdhjetë deputetë të jenë në sallë për ta votuar”, deklaroi Rexha në Klan Kosova.Ai tutje shtoi se ligji për KPM-në gjithsesi duhej të bëhej dhe se në fakt është i vonuar, por mënyra se si është bërë dhe çfarë është shkruar në të dhe çfarë kjo qeveri dëshiron të bëjë, është pa asnjë diskutim një tentim për disiplinimin dhe kontrollimin e mediave dhe se ky është synimi i kësaj mazhorance.
“Një prej vërejtjeve kryesore të raportit të Këshillit të Evropës është përbërja e re e KPM-së dhe kompetencat që do të ketë mënyra e zgjedhjes së Kryetarit të KPM-së, e që do të bëhej direkt nga Kuvendi edhe që do të ketë pra hapësirë të manovrimit në kuptim të ndikimit që do të vijë nga politika”.“Aktualisht janë shtatë anëtarë. Propozimi është që të bëhen 11 anëtarë, dhe me mënyrën se si Vetëvendosje është sjellë deri më tash, e kemi të qartë që do të dërgojë njerëz të dëgjueshëm në KPM, të cilët do të shkojnë pas mediave kritike. Dënimet shkojnë deri në 40 mijë euro, dhe gjithashtu frika është që janë joproporcionale dhe që mund të kenë efekt të mbylljes së një mediumi online, nëse zbatohen, pasi që shumica e tyre janë relativisht të vogla dhe me pak gazetarë, me pak punonjës”.
“ Por, të gjitha indikacionet kjo qeveri ka dhënë edhe me mënyrën e sjelljes, me mënyrën se si flet ndaj mediave, qeveria e kryeministrit, deputetët, me në krye Dimal Bashën, që i kishte quajtur tradhtarë anëtarët e KPM-së për vendimet e tyre, pra tashmë vetëm sa e kanë bërë edhe me ligj, sepse në forma të tjera, me deklarata publike e akuza, kanë provuar ta shtrijnë këtë kontroll, tashmë e kanë mundësinë që ta bëjnë fatkeqësisht edhe me ligj”, përfundoi Rexha.Kreu i AGK-së më tej theksoi se kanë parë paralajmërimin e së paku dy partive opozitare që ligjin në fjalë do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
“ Kjo është forma më e duhur, më e mirë, dhe ne absolutisht besojmë që Gjykata Kushtetuese do të gjejë elemente të shumta në të cilat do të mund të konstatojë që në frymë ligji është antikushtetues, pra që e zvogëlon pluralitetin medial në Kosovë dhe ne jemi të gatshëm që ta ndjekim nga afër gjithë procesin me shpresën që vërtet do të ndodhë, siç e kemi parë edhe në shumë raste të tjera, që Gjykata Kushtetuese i ka kthyer mbrapa ligjet që i ka miratuar ky Kuvend dhe kjo Qeveri, dhe do shpresonim shumë që të njëjtën gjë ta bënte edhe për ligjin për KPM-në”, tha Rexha.