Rexha: Nuk ka dyshime për ndërhyrje kriminale në aksidentin e dy policëve
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Naim Rexha, ka bërë me dije se kanë nisur hetimet në të gjitha drejtimet në bashkëpunim me prokurorinë e shtetit, në lidhje me rastin e aksidentin e dy policëve në magjistralen Kaçanik-Hani i Elezit.
Sipas tij, pas realizimit të ekspertizave të ndryshme, bazuar në ato raporte del se nuk ka pasur asnjë ndërhyrje kriminale nga ndonjë faktor i jashtëm.
Ai gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së ka bërë me dije se bazuar në ekspertizën e bërë në automjetin me të cilin ishin në lëvizje policët, del se teknikisht gjithçka ka qenë në rregull.
Policët Malësor Dashi dhe Armend Trena ishin aksidentuar javën e kaluar, ndërsa vetura e tyre kishte rënë në rrjedhën e lumit Lepenc.
Pas gjashtë ditësh kërkimi trupi i pajetë i Malësor Dashit është gjetur dje rreth 5 km larg vendit të aksidentit, ndërsa kërkimet për Armend Trena janë duke vazhduar ende.