Rexha: Përjashtimi i Kosovës nga EQAR, shkatërrues për arsimin
Ish-kryetari i bordit të Agjencisë së Akreditimit, Blerim Rexha, deklaroi se përjashtimi i Kosovës nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) është shkatërrues për imazhin e arsimit në Kosovë.
Rexha në “KTV” ka thënë se tani ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, i kanë mbetur dy vendime, të kërkojë falje publike dhe të dorëhiqet.
Në vendimin e EQAR-së thuhej se pas vendimit që Bytyqi të shkarkojë Këshillin Shtetëror të Cilësisë të u.d. të drejtoreshës së Agjencisë së Akreditimit të Kosovës “kjo agjenci ka humbur aftësinë e saj për të vepruar në mënyrë autonome”. Bordi i AKA-së ishte shkarkuar në fund të shtatorit vitin e shkuar.
“Me vendimin e shkarkimit të bordit aktual, Agjencia ka mbetur pa bord, pa vendimmarrës. Aty presin shumë programe për akreditim. Për këtë përgjegjësia bie te ministri. Ai ka vendosur ta paralizojë këtë agjenci. Në rend të parë për arsimin e lartë do të thotë kthim prapa, për dhjetë vjet punë të shoqërisë së Kosovës. Ndalim për të drejtën tonë për arsim të lartë cilësor. Për aspiratat tona për anëtarësim në UNESCO. Vë në pikëpyetje diplomat e programeve të studimit. E shkatërron imazhin e agjencisë. Cenon dhe prish imazhin e të gjitha institucioneve të arsimit. Më së rëndësishmi, dëmton interesat e studentëve. Ministri ka dy mundësi të fundit, i mbetet borxh për kërkimfalje publike për situatën në të cilën e ka sjellë arsimin dhe e dyta të largohet nga pozita që mban”, ka thënë Rexha.
Rexha ka thënë po ashtu se me shkarkimin e Ismet Salihut nga pozita e kryetarit të Këshillit Drejtues të UP-së dhe zëvendësimin e tij me ish-shefen e ministrit, Bytyqi ka treguar vetëm ambiciet e tija personale.
Rexha po ashtu ka thënë se anëtarësimi në EQAR mund të zgjasë deri në një vit, por, sipas tij, përjashtimi është edhe më keq se mungesa e anëtarësimit. Ai ka bërë të ditur se në këtë Regjistër Evropian, nga rajoni të anëtarësuara ishin vetëm Kosova dhe Serbia.