Rexha: Qeveria për dy vjet ka sulmuar mediat pa ndërprerë, nisur prej Kryeministrit
Xhemajl Rexha, kryetar i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), tha se në këto dy vite Qeveria ka sulmuar mediat pa ndërprerë dhe në mënyrë publike, nisur nga Kryeministri Albin Kurti.
“Tendenca e kësaj Qeverie ndaj mediave, na ju kena pa në praktikë çka keni bo, në këto dy vjet, dy vjet e gjysmë të gjitha sulmet e pandërprershme, deklarata publike, me organizim të fushatave denigruese ndaj gazetarëve, ndaj individëve, ndaj mediave, e keni bë vazhdimisht, publikisht, ka nisë qysh prej Kryeministrit Kurti kur i thotë një gazetari në një konferencë shtypi “se kjo pyetje është prej Serbisë, po vjen prej Serbisë”, që është absolutisht deklaratë e papranueshme, skandaloze, e rrezikshme për sigurinë e gazetarëve”, ka deklaruar Rexha.
Sipas tij, edhe tendeca për mbyllljen e Klan Kosovës ka pasur për qëllim sulmin ndaj medias, pasi çështja e regjistrimit të këtij televizioni ka qenë çështje administrative dhe ka mundur të zgjidhet përmes një e-maili nga Ministria, por Rexha thotë se kjo është përdorur në aspektin nacional për ta nxitur bazën dhe për ta sulmuar median.
“Tendecën për ta mbyllur Klan Kosovën, një televizion, televizionin më të madh në Kosovë, regjistrimi që ka mund të jetë çështje administrative, po ju gjithçka e punoni në nivel nacional për me nxitë bazën e juaj zoti Ramadani, keni mund me çu një e-mail, mirëpo ju keni qenë të interesum me bë publike për me sulmu median”, shtoi Rexha në emisionin “Tempus” në KTV.
Ai thotë se gazetarët e televiozionit Klan Kosova janë vënë në rrezik shkaku i deklaratave nga Qeveria se kinse të njëjtit punojnë për interesa të Aleksandar Vuçiqit dhe të Serbisë.
“Ju i keni akuzu gazetarët e Klan Kosovës, absolutisht i keni akuzu të gjithë me deputetë, e me krejt, ju iu keni thënë se punoni për interesa të Vuçiqit dhe Serbisë, ju u keni thënë gazetarëve të Klan Kosovës që punoni për interesa të Serbisë që është absolutisht e papranueshme, i keni vënë në rrezik”, tha Rexha.