Rexhep Hoti: Veseli duhet të formojë ekip të fuqishëm
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rexhep Hoti, ka thënë se Kadri Veseli sërish do të jetë kandidat për kryetar të partisë.
Ai në emisionin “Zona B” te “Klan Kosova”, ka thënë se PDK-ja është para mbajtjes së Konventës së saj. “Jemi para mbajtjes së Konventës. Veseli do të jetë sërish kryetar, sepse nuk ka konkurrencë. Kadriu e kontrollon PDK-në”, ka thënë Hoti.
Hoti ka thënë se PDK-në e rrënuan klientela, SHIK-u dhe ‘Pronto’. Sipas tij, udhëheqja e PDK-së nuk diti të jap përgjigje si duhet në këto akuza që i bën partitë tjera ndaj saj.
“Ne dështuam të japim përgjigje në tri akuza substanciale. Ishte klientela, filozofia ‘Pronto’ dhe SHIK-u. Ata nuk ishin më të mirë sepse fituan, por ishin më të mirë në filozofi sepse fituan ‘Me hajna nuk ka shtet’”, ka thënë Hoti, duke shtuar se tani i takon Veselit të bëjë një rikthim të fuqishëm duke u përgjigjur në këto tri shtylla.
Ai ka pohuar se Kadri Veseli duhet ta formojë një ekip të fuqishëm.
Hoti ka theksuar se PDK-ja ende e ruan në struktura bërthamën e saj. Ai i ka sugjeruar shefit të tij të partisë që të lidhet më shumë me terrenin, strukturat e partisë në nivel vendi.