Rexhep Hoxha, klasiku i fundit i letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj
Prof. Dr. Xhahid BUSHATI
Rexhep Hoxha, shkrimtari nga Kosova, ndërroi jetë në moshën 90-vjeçare (1929 -12.07.2019). Ishte shkrimtari më i moshuar i letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj. Në qoftë se do t’i kërkojmë rrënjët dhe fillesat e tij letrare, do të thoshim se Hoxha i takonte brezit të parë të shkrimtarëve shqiptarë në Kosovë, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Çka do të thotë se, ishte njëri nga krijuesit më të popullarizuar për lexuesit e vegjël në Kosovë, madje njëri nga themeluesit e letërsisë për fëmijë në këtë trevë. Siç është quajtur nga kritikë e studiues me të drejtë: “Rexhep Hoxha ishte një klasik i letrave shqipe të Kosovës”.
Shkrimtari Rexhep Hoxha e botoi librin e parë me vjersha të titulluar “Gjethet e reja”, 66vjet më parë. Në librat që shkroi më pas, edhe te poemat, edhe te fabulat solli përherë “gjelbërim” poetik në letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj. Erdhi me një profil të veçantë. Shquhej për një gëzim të brendshëm krijimi i tij, të cilin e ruajti kurdoherë të tillë.
Në udhëtimin e këtij gëzimi dhe këngëzimi, rrezet e diellit të poetëve të Rilindjes ia shndritnin herë pas here vjershat, por pa i cenuar personalitetin artistik. Me kohën lidhi një pakt që, gjithashtu nuk e ndryshoi. Dhe ai ishte: Rrëfimi i natyrshëm, pa sforco e dinjitetshëm i lirizmit poetik. Po ashtu edhe hapësirat e Atdheut: me trimat, me plagët, me dhimbjen, me dashuritë, me ëndrrat, me amanetet, me… Këto tematika mbeten piketat kryesore të poetikës së tij. Kujtesa poetike e Rexhep Hoxhës ishte një produkt interesant që duhet studiuar për specifikën e saj.
E njohu për së mbari botën e psikologjinë e fëmijës. Elementet edukative të kësaj moshe. Jo më kot, vjershat në palcat e tyre kanë: kureshti, lojë, humor, fjalë pafund onomatopeike, lirizëm, gurrë folklori etj. Kujtohuni për këto emërtesa që po i përmend, që nuk janë gjë tjetër veçse kodet e përkëdhelive të botës fëmijërore dhe domethëniet e zemrës së poetit, si: “Picimuli”, “Mbi krahët e fluturës”, “Pika vese”, “Lulëzo vendi im”, “Micimiri”, “Piperku”, “Zogu i qiellit” etj.
Një kod i rëndësishëm i zhvillimit të poezisë
Në lidhje me veçoritë e krijimtarisë poetike të Hoxhës, paraqesin interes edhe dy shqyrtime të studiuesit Ramazan Çadri dhe shkrimtarit Anton Pashku. Ramazan Çadri shprehet: “…vjershat e Rexhep Hoxhës fitojnë gjallërinë dhe freskinë e nevojshme poetike në saje të konkretësisë së rrëfimit e të përshkrimit të dukurisë a ngjarjes në frymën e këngëve popullore, te të cilat ai u mbështet për të marrë më shumë sesa motivet, thjeshtësinë e të shprehurit, mënyrën gazmore të të rrëfyerit, karakterin lodrues të veprimit si dhe muzikalitetin e ritmit të tyre.” Kurse Anton Pashku e cilëson magjinë e poetit në këtë mënyrë: “Kudo nëpër poezitë e tij gjejmë vargje të lëmueta, tinguj që kumbojnë freskët, vjersha që në vetvete kanë ritëm të mrekullueshëm e humor jashtëzakonisht të qëlluar”.
Mes leximeve të opusit krijues të Hoxhës, ndeshim edhe gjykimet e recensuesit Ramadan Musliu. Intenca edukuese e poezisë së Hoxhës, për të cilën shprehet ai, na dritëson një kod të rëndësishëm të zhvillimit të poezisë së Rexhep Hoxhës, ku “problemi i tendencës edukative është i pranishëm edhe si formë e plasimit të një norme, ku shpesh “morali” dhe tendenca edukative shkrihen në tekst me komponentët e tjerë, duke dalë si një imperativ imanent i tekstit poetik”, dhe më tej ai thotë se “sa u përket aspekteve ritmike-metrike, ku Rexhep Hoxha i ka veçoritë dalluese nga e gjithë kjo klasë krijuesish, të themi shkarazi se edhe këtu autori ndjek paradigmën e ritmit të rregullt dhe rimës efektive, që është në përputhshmëri me ritmin e ngjarjes së rrëfyer. Nëse i vështrojmë me vëmendje këto kualitete, lirisht mund të konstatojmë se autori është në vazhdën e një tradite të tij të ngulitur në kultivimin e vlerave të vargut klasik”.
Edhe studiuesi Fatmir Terziu e ka një vështrim të poezisë së Hoxhës në raport me kohën. Ai thotë se Rexhep Hoxha është një nga shkrimtarët që i dhuroi kohës debatin real të komunikimit intelekt dhe vlerës së lidhjes autor-lexues mjeshtërinë e komunikimit. …Poezia e Rexhep Hoxhës dallohet nga tri lidhje që pasojnë formën didaktike të saj. Lidhja e parë e saj është një arsye që vjen nga shkrimi me energji dhe vrull nëpërmjet rrjedhave të jetës si një pasqyrë e reales sublime ku diktohet forma dhe hapësira si një mekanizëm sintaksor në hapësirën e komunikimit me lexuesin. Lidhja e dytë është ndikimi i ardhur mes arsyes së lidhjes së mesazhit me faktorin lexues, ku komunikimi didaktik i saj kalkulon dhe pohon termin kohë dhe hapësirë duke e kthyer qëllimin poetik në një periudhë të ndikuar, ku udhëzimi, mbetet për një kënaqësi. Lidhja e tretë, ajo më kryesorja që shihet te ky poet është e lidhur me faktin që ka vetë misioni i poezisë së tij si një ‘muzë didaktike’ për moshat që ai e referon atë, theksonTerziu.
Gjinitë e zhanret e lëvruara i dhanë lavdinë
Prozatori Rexhep Hoxha është autor edhe i romaneve “Lugjet e Verdha” (1959), “Verorja” (1984), “Ermali” (2000). Këto tri romane, më shumë i pari dhe i dyti, më pak i treti, kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve dhe të krijuesve, të cilët herë pas here në kohë kanë dhënë mendimet e tyre. Krahas veprave të njohura nga ana ime dhe qëmtimeve e shqyrtimeve letrare që kam bërë, mendoj që marrëdhëniet e tyre (të studiuesve) lidhur me sagën romanore të Rexhep Hoxhës, duhen grupuar në këtë mënyrë: – autorë që janë ndalur te përmbajtja (subjekti) e librit dhe e kanë rrëfyer atë shpesh imtësisht; – autorë që tentuan të hynin në tipologjinë e romaneve të autorit; – autorë, – dhe kjo me vlerë, – që këndvështruan statusin e romaneve të Hoxhës, si veçori bindëse.
Teksa shkruaj këta rreshta për romancierin e parë për fëmijë në Kosovë, shkrimtarin e talentuar Rexhep Hoxha, vetiu më lindi pyetja: “A kishte vertikalitet, në vite e dekada, letërsia shqipe për fëmijë e të rinj?” Një të tillë lartësi ia ka dhënë edhe prozatori Hoxha që me ardhjen e tij të parë në fushën e botimeve. Romani i tij “Lugjet e Verdha” ishte një befasi për kohën. Romani në fjalë e kaloi dhe kohën e tij dhe sot po mbetet një vepër e frymëzuar dhe e shkruar nga një dorë mjeshtri. “Lugjet e Verdha” zgjoi dhe interesin e studiuesve dhe të kritikëve. Në këtë rrugëtim shkrimtarin Hoxha e shoqëroi, e pse jo, edhe një “kalvar”. Ndërsa në aspektin letrar po ta analizosh imtësisht veprën në fjalë shumë dukuri kanë mbetur pa u trajtuar. Nga ajo shumësi mendimesh, analizat e recensuesit RamadanMusliujanë mjaft të arrira. Përse e them? Vështrimet për veprat e këtij krijuesi kanë qenë më shumë horizontale, ndërsa vetë ai ishte në një pikë tjetër lartësore të vertikalitetit të tij dhe të dimensionit letrar. P.sh., edhe sot më bën përshtypje, pse “u harrua” së analizuari mistika e veprave të tij (?). Një fenomen i tillë, lidhur me mistiken, ka ndodhur edhe me veprën “Shpella e piratëve” të Petro Markos.
Krijimtaria e shkrimtarit nga Kosova Rexhep Hoxha, me mesazhet e tij brenda veprave që na dhuroi në shumë gjini e zhanre, kohës i ka dhënë lavdinë e tij. Patjetër që koha, nuk do të vonojë, koha nuk do të heshtë e do t’ia kthejë lavdinë e merituar…