Rexhep Qosja, burrë zotni
Nga: Driton Lajçi
Akademik Rexhep Qosja, urime Ylli i Medaljes së Kryeministrit për Mirënjohje Publike! Mirënjohje e cila ju dha nga z. Edi
Rama-Kryeministër i Republike së Shqipërisë, më rastin e 85 vjetorit të ditëlindjes.
Profesor Qosjen e çmoja shumë. Jam takuar disa herë në vitin 1997, në periudhën e përgatitjeve tona studentore për t’i dhënë kahe tjetër proceseve.
Ishte fundi i gushtit, 25 ose 26 gusht 1997 kur unë, Bujari dhe Albini shkuam në shtëpinë e tij. Sa ishte e pa pritshme, aq ishte frymëzuese për ne përkrahja që na e dha akademik Qosja. I bëri një përshkrim gjendjes dhe duke marrë shembull elitën politike dhe sjelljet e tyre karshi popullit dhe situatës, tha: “Është ndërtuar merimanga e krimit.
Politikanët pinë uiski, ngasin vetura luksoze, mbajnë pas vetes dhjetëra truproja dhe luajnë lojën e shtetit, kurse në anën tjetër populli është duke hequr të zitë e ullirit nga okupimi serb dhe varfëria e skajshme”. Na cilësoi si shpresa e fundit e popullit dhe na ofroi mbështetje morale, duke na nxitur që të vazhdojmë në nismën tonë.
Kjo ishte tepër domethënëse për ne, sepse ishte hera e parë që po merrnim një mbështetje kaq të hapur dhe kaq të sinqertë nga një figurë me peshë në Kosovë, duke pasur parasysh mbështetjen taktike, abstrakte dhe të thatë të udhëheqësve politikë.
Ai kishte vetëm një dilemë, se a mund të organizoheshim mirë. Kur filluam me protesta studentore profesor Qosja ishte pjesëmarrës në protesta dhe mbështetës i madh i studenteve dhe ngjarjeve që rrjedhën pastaj.
Prandaj, vlerësimi i dhënë nga kryeministri Rama “zotni burrë” (pos tjerash), i shkon për shtati karakterit dhe veprës jetësore të Rexhep Qosjes.
*Autori ka qenë nënkryetar i Unionit te Pavarur te Studentëve te Universitetit të Prishtinës (1997-1999)