Rexhep Qosja: Me Kadarenë polemizuam, por krijuesit polemizojnë sepse e duan dhe nderojnë njëri-tjetrin
Akademiku Rexhep Qosja me një postim në rrjetin social Facebook, ka reaguar për vdekjen e kolosit të letërsisë shqipe, Ismail Kadare.
Në postimin e gjatë, Qosja ka pranuar se kishte polemika me Kadarenë, por ka shtuar se shkrimtarët polemizojnë sepse e duan njëri-tjetrin.
“Ismail Kadare dhe unë kemi pasur takime kur e kur edhe familjare, bashkëbisedime, vlerësime e nderime të ndërsjella. Mirëkuptimi dhe nderimi i ndërsjellë mes Ismail Kadaresë dhe meje në masë të madhe do të bazohej në qëndrimin tim ndaj tij kur ai do të shpërngulej prej Tiranës në Paris”, ka shkruar Qosja.
“Mospajtuesve që do ta kritikojnë Ismail Kadarenë me familjen që ishin larguar prej Atdheut unë do t’u përgjigjem: ky është qëndrim i atdhetarit dhe i krijuesit Ismail Kadare dhe këtë qëndrim të tij ne duhet ta respektojmë me mendje e me zemër. Unë jam i sigurt se frytet e shpërnguljes së Ismail Kadaresë në Paris ne do t’i shohim dhe përjetojmë shpejt në kulturën tonë kombëtare”, ka shtuar ai.
“Ismail Kadare dhe unë kohë pas kohe kemi shkruar për krijimtarinë e njëri tjetrit. Unë e kam propozuar përkthimin e romanit të tij Kështjella në gjuhën serbo-kroate dhe kam shkruar një parathënie shumë vlerësuese për romanin dhe krijuesin e tij Ismail Kadarenë, ka shkruar ai.
“Ismail Kadare, ndërkaq, e ka shkruar parathënien për romanin tim Vdekja më vjen prej syve të tillë të botuar në Paris”.
Por Qosja ka shkruar se “mes Ismail Kadaresë dhe meje kohë pas kohe ka pasur edhe gjykime e vlerësime polemike si pasojë e pikëpamjeve tona të ndryshme për cështje të ndryshme kulturore dhe letrare në përgjithësi”.
“Në letërsinë evropiane është bërë historike bindja e pranuar prej krijuesve më të shquar evropianë se ata që polemizojnë me njëri tjetrin ata polemizojnë sepse e nderojnë dhe e duan njëri tjetrin”, ka shkruar ai.
“Familjarët e Ismail Kadaresë dhe të pikëlluarit e tjerë i ngushëlloj me besimin se ndarja e Ismail Kadaresë nga jeta është vetëm një ndarje trupore”, ka shkruar ai.
“Emri i tij dhe jetëshkrimi i tij janë të gjithmonshëm, sepse janë emër dhe jetëshkrim të pavdekshëm, janë historikë”.
“E gjithmonshme dhe e gjithkohshme është edhe krijimtaria e shumëllojshme e Ismail Kadaresë: proza letrare, shkrimet publicistike, trajtesat historiko letrare dhe kritike e eseistike. Të gjitha këto – emri Ismail Kadare, jetëshkrimi i tij, krijimtaria mendore, veprimtaria kulturore, shoqërore, etike dhe kombëtare në përgjithësi përbëjnë vlerën e madhe kulturore shqiptare. Në sajë të tyre Ismail Kadare në të përtashmen dhe në të gjithë të ardhmen do të jetë personalitet madhështor historik i Kombit Shqiptar, të cilit do t’ia dhurojnë ndjenjat e tyre, mendimet e tyre, përkushtimet e tyre të gjithë brezat e shqiptarëve pavarësisht ku do të jetojnë ata”.
Postimi i plotë i Qosjes:
Të hënën, më 1 korrik, u nda nga jeta intelektuali dhe krijuesi Ismail Kadare. U shpreh ngushëllimet më të thella bashkëshortes së tij shumë të nderuar e të dashur, shkrimtares Helena Kadare, bijave të tij Gresa dhe Besiana dhe të gjithë familjarëve të tjerë të familjes Kadare.
U shpreh ngushëllimet më të thella edhe miqve, bashkëpunëtorëve, kolegëve dhe lexuesve të tij të shumtë.
Ismail Kadare dhe unë kemi pasur takime kur e kur edhe familjare, bashkëbisedime, vlerësime e nderime të ndërsjella.
Mirëkuptimi dhe nderimi i ndërsjellë mes Ismail Kadaresë dhe meje në masë të madhe do të bazohej në qëndrimin tim ndaj tij kur ai do të shpërngulej prej Tiranës në Paris.
Mospajtuesve që do ta kritikojnë Ismail Kadarenë me familjen që ishin larguar prej Atdheut unë do t’u përgjigjem: ky është qëndrim i atdhetarit dhe i krijuesit Ismail Kadare dhe këtë qëndrim të tij ne duhet ta respektojmë me mendje e me zemër. Unë jam i sigurt se frytet e shpërnguljes së Ismail Kadaresë në Paris ne do t’i shohim dhe përjetojmë shpejt në kulturën tonë kombëtare.
Ismail Kadare dhe unë kohë pas kohe kemi shkruar për krijimtarinë e njëri tjetrit. Unë e kam propozuar përkthimin e romanit të tij Kështjella në gjuhën serbo-kroate dhe kam shkruar një parathënie shumë vlerësuese për romanin dhe krijuesin e tij Ismail Kadarenë.
Ismail Kadare, ndërkaq, e ka shkruar parathënien për romanin tim “Vdekja më vjen prej syve të tillë” të botuar në Paris.
Por, mes Ismail Kadaresë dhe meje kohë pas kohe ka pasur edhe gjykime e vlerësime polemike si pasojë e pikëpamjeve tona të ndryshme për çështje të ndryshme kulturore dhe letrare në përgjithësi.
Në letërsinë evropiane është bërë historike bindja e pranuar prej krijuesve më të shquar evropianë se ata që polemizojnë me njëri tjetrin ata polemizojnë sepse e nderojnë dhe e duan njëri tjetrin.
Familjarët e Ismail Kadaresë dhe të pikëlluarit e tjerë i ngushëlloj me besimin se ndarja e Ismail Kadaresë nga jeta është vetëm një ndarje trupore.
Emri i tij dhe jetëshkrimi i tij janë të gjithmonshëm, sepse janë emër dhe jetëshkrim të pavdekshëm, janë historikë.
E gjithmonshme dhe e gjithkohshme është edhe krijimtaria e shumëllojshme e Ismail Kadaresë: proza letrare, shkrimet publicistike, trajtesat historiko letrare dhe kritike e eseistike. Të gjitha këto – emri Ismail Kadare, jetëshkrimi i tij, krijimtaria mendore, veprimtaria kulturore, shoqërore, etike dhe kombëtare në përgjithësi përbëjnë vlerën e madhe kulturore shqiptare. Në sajë të tyre Ismail Kadare në të përtashmen dhe në të gjithë të ardhmen do të jetë personalitet madhështor historik i Kombit Shqiptar, të cilit do t’ia dhurojnë ndjenjat e tyre, mendimet e tyre, përkushtimet e tyre të gjithë brezat e shqiptarëve pavarësisht ku do të jetojnë ata.