Rexhep Selimi arrin në zyret e EULEX-it, nga aty pritet të niset për Hagë
Ish-pjesëtari i UÇK-së Rexhep Selimi ka arritur në zyret e EULEX-it prej ku pritet që të niset për në Hagë.
“Klan Kosova” ka kontaktuar me një të afërm të Selimit i cili ka thënë se ata vetëm e kanë shoqëruar deri tek zyret e EULEX-it.
Pranë zyreve të EULEX-it ndodhet edhe një veturë e Policisë së Kosovës.
Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, paraprakisht bëri homazhe te varri i Astrit Deharit – në ditën kur bëhen katër vjet nga vdekja e tij.
Selimi, të mërkurën, ka konfirmuar përmes një njoftimi se i është konfirmuar aktakuza dhe se ka pranuar ftesën për në Hagë.
“Po e ndjej për obligim t’iu njoftoj se nesër do të udhëtoj për Hagë (Holandë) që të përballem me këtë sfidë që i është vënë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, para së gjithash. Unë po shkoj me kokën lart dhe kurdo që kthehem do kthehem po ashtu me kokën lart sepse isha, jam dhe do të jem ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të cilën jam i gatshëm të jap gjithçka nga vetja ime. Ideali i asaj ushtrie të lavdishme është mbi mua, mbi këdo, mbi gjithçka. Mirë u takofshim në fitoren e Ushtrisë Çlitimtare të Kosovës!”, kishte shkruar ai në llogarinë e vet në “Facebook”.