Rexhep Selimi jep ide se si mund të zbulohet numri i saktë i veteranëve
Matematikë të thjeshtë. Të tillë e konsideron numërimin e veteranëve të luftës së UÇK-së njëri nga ish-komandantët e kësaj të fundit, Rexhep Selimi.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës ka theksuar se po t’u referoheshin fakteve, gjë të cilën sipas tij Komisioni aktual nuk e ka bërë, numri më i madh i mundshëm i veteranëve të luftës do të arrinte në 20 mijë.
“Pra ne nëse e dijmë matematikën e thjeshtë atëher dalim edhe te numri i sakt ose i përafërt i veteranëve i cili gjithsesi, në asnjë variant, nuk e kalon numrin 20 mijë. Në asnjë variant, as në shkallën më të lartë të mobilizimit”, ka deklaruar Selimi.
Ai ka shtuar se fryrja e listave i dëmton ish-luftëtarët e vërtetë.
“Në këtë rast të dëmtuarit kryesor mbeten ata që kanë qenë vërtetë. Paramendojeni vepra e tyre, sakrifica e tyre mbetet nën hijen e mashtruesve. Mashtruesi dhe heroi janë në të njëjtën listë”, theksoi ai.
Selimi ka shtuar se zgjidhja më e mirë e kësaj teme është rishikimi nga fillimi i listave të veteranëve dhe në këtë mënyrë sipas tij do të vërtetohej krimi i organizuar që është bërë me trefishimin e numrit të pjesëmarrësve në luftë.