Rexhep Selimi: Numri i veteranëve u trefishua
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, pajtohet me ish-komandantin e përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, i cili nga burgu i Dubravës, ku është duke vuajtur dënimin, ka deklaruar se pas luftës janë identifikuar rreth 13 mijë ushtarë të UÇK-së.
Selimi në një intervistë për “Ekonomia Online” ka deklaruar se numri i veteranëve të UÇK-së është trefishuar.
“Deri më tani, vlerësimin më objektiv dhe më të sinqertin e ka dhënë nga një ambient krejt jashtë nga këtu, nga burgu i Dubravës, Sylejman Selimi, i cili e ka thënë një të vërtetë edhe në përputhje me njohuritë e tij, por e ka thënë një të vërtetë në përputhje me rolin që e ka pasur ai”, ka thënë Selimi.
Sipas tij, në asnjë variant UÇK-ja nuk ka pasur më shumë se 20 mijë luftëtarë.
“Te maksimumi kurdo që shkojmë, së paku nëse nuk dimë pjesëtimin, duhet ta dimë mbledhjen dhe zbritjen, është e thjeshtë kjo punë. Pra, nëse ne e dimë matematikën e thjeshtë atëherë dalim edhe të numri i saktë ose i përafërt i veteranëve, i cili, gjithsesi, në asnjë variant nuk e kalon numrin 20 mijë, në asnjë variant, as në shkallën më të lartë të mobilizimit”, është shprehur ai, duke treguar se si është nxjerr numri 13 mijë. “Ai (Sylejman Selimi) ka thënë që në mbledhjen, evidentimin e parë të luftëtarëve të UÇK-së në kohën kur ka ndodhur transformimi nga UÇK-ja në TMK kanë qenë rreth 13 mijë dhe ka pasur plotësisht të drejtë. Unë po i shtoj akoma edhe rivlerësimin ose riverifikimin që ka ndodhur pastaj, shkon diku te 17 mijëshi, por nuk duhet të mbetem rob i shifrave. Po flas në kompetencë timen kur them që nuk kalon 20 mijëshin, por përtej kësaj ne duhet t’u referohemi fakteve, listave të cilave nuk u është referuar komisioni aktual”, ka deklaruar Selimi.