Rexhep Selimi tregon pse LV-ja po hap qendër në Shqipëri
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka folur rreth vendimit të partisë së tij për të hapur një qendër në Shqipëri.
Selimi ka thënë në emisionin “DPT te Fidani”, në televizionin T7, se LV-ja ka aplikuar për t’u zgjeruar në Shqipëri, si një organizatë joqeveritare, e jo si subjekt politik.
Deputeti i LV-së ka mohuar se partia e tij do të marrë pjesë në zgjedhje në Shqipëri, në të ardhmen e afërt.
“Po të donim të merrnim pjesë në zgjedhje, do të bënim kërkesë jo te gjykata, po në KQZ [Komisionin Qendror të Zgjedhjeve], do të aplikonim në KQZ”, është shprehur ai.
I pyetur se pse LV-ja po hap qendër në Shqipëri, Selimi është përgjigjur: “Për shkak të zhvillimeve të përbashkëta, për shkak të një komunikimi më të mirë Kosovë-Shqipëri”.
“Kjo nuk nënkupton që ne jemi atje forcë politike”, ka theksuar Selimi.
Ai ka thënë se Vetëvendosje në të ardhmen pret që Kosova e Shqipëria të bashkohen në një shtet të vetëm.