Rezervat shtetërore, Avokatura e Shtetit ushtroi padi më 2 gusht për kompaninë turke dhe atë polake
Avokatura Shtetërore e Kosovës, ka konfirmuar se ka ushtruar padi më 2 gusht të këtij viti pranë Gjykatës Komerciale në Prishtinë, ndaj dy operatorëve ekonomikë, kompanisë së grurit nga Turqia “Yafe Turizm Insaat” dhe kompanisë së vajit nga Polonia “Xanto SP.Z.O.O”.
Padia ndaj dy kompanive është ushtruar pasi një pjesë e grurit, vajit dhe sheqerit që ishin blerë për rezerva shtetërore gjatë vitit 2022 ende nuk kanë ardhur në Kosovë. Dëmi ndaj buxhetit të shtetit, sipas Prokurorisë Speciale, është mbi 600 mijë euro.
“Referuar kërkesës suaj, ju informojmë se Avokatura Shtetërore ka iniciuar konteste gjyqësore – padinë në Gjykatën Komerciale në Prishtinë ndaj dy operatorëve ekonomikë ‘Yafe Turizm Insaat’ dhe ‘Xanto SP.Z.O.O’”, është thënë në në përgjigjen e Avokaturës Shtetërore për “Betimi për Drejtësi”.