Rezistenca e fundit e përgjakshme gjermane në Itali
Nga: Simon Heffer / The Daily Telegraph
Gjatë pesë muajve përpara Ditës-D, fuqitë aleate u përqendruan në Itali dhe në betejën për të marrë Romën. Që nga vera e kaluar, Mussolini ishte diktator marionetë; penjtë e tij tërhiqeshin nga miqtë e tij në Berlin, duke sunduar në një pjesë të madhe të vendit, madhësia e të cilit u zvogëlua në mënyrë të vazhdueshme pas përmbysjes së tij. Objektivi i aleatëve ishte ta nxirrnin jashtë loje. Rëndësia simbolike e marrjes së kryeqytetit të Italisë ishte thelbësore për këtë qëllim: kjo, në muajt e parë të vitit 1944, nënkuptonte shpeshherë luftën në kushte të tmerrshme dhe në terrene të vështira dhe malore. Kazino 1944 [Cassino ’44] është historia e asaj lufte dhe se si një ushtri fanatike e gjermanëve u masakrua në përpjekjen e tyre të pafrytshme për të fituar.
James Holland, i ndihmuar nga ekipi të cilin e falënderon, ka bërë një punë të jashtëzakonshme kërkimore dhe përkthimi në përgatitjen e këtij libri. Detajet janë mahnitëse. Holland ka studiuar burimet parësore dhe dytësore nga pjesëmarrësit në të dy anët e betejës, si dhe nga italianët e pafat të zënë në mes: veçanërisht të burgosurit e abacisë në Monte Kazino, ku gjermanët i përdorën si murgjit ashtu edhe vendasit – të cilët u strehuan atje – si mburoja njerëzore. Ai bazohet në letrat dhe ditarët e trupave britanike, amerikane, polake, franceze dhe të Komonuelthit britanik; si dhe dosjet e gjermanëve të cilët përfundimisht u mundën, e të cilat ilustrojnë jo vetëm kotësinë e rezistencës së tyre, por edhe trimërinë e tyre.
Libri është i mbushur me ilustrime të dhunës, por kështu mbase duhet të jetë: zorrët e derdhura, gjymtyrët e prera, kokët e këputura dhe tmerret e tjera ishin përvoja e përditshme e atyre që kishin fatin të mbijetojnë. Ka emra të njohur nga historitë e tjera ushtarake – Montgomery i El-Alameinit shfaqet shkurtimisht me Ushtrinë e tij të Tetë përpara se të kthehej përsëri në Angli për të udhëhequr pjesën britanike në Operacionin Overlord – për pushtimin e Normandisë më 6 qershor. Por, Holland gjithashtu ndjek pushkatarin Audie Murphy, i cili jo më pak për shkak të heroizmave të tij të famshëm gjatë luftës, bëri karrierë të mirë si aktor holivudian; ka po ashtu një paraqitje të shkurtër të pushkatarit Terry Milligan, i njohur më mirë si Spike [komedian, dramaturg, muzikant i njohur më vonë]; dhe, ka përkujtues se në luftë tmerret nuk kryhen gjithmonë nga armiqtë tuaj. Holland detajon epideminë e përdhunimit dhe plaçkitjes së grave të varfra italiane nga gumierët – ushtarët marokenë që luftonin për kauzën aleate: tani e dimë se ishte paralajmërim i sjelljes së neveritshme të Ushtrisë së Kuqe ndaj grave gjermane në vitet 1944-‘45.
Holland përshkruan vlerat strategjike të fushatës italiane: ajo i devijoi trupat gjermane dhe fuqinë ajrore nga ajo që do të bëhej teatri kryesor i operacionit në Normandi dhe ishte vendimtar për dobësimin e aviacionit gjerman – gjë që ndihmoi që invadimi në Francë të ketë sukses. Me gjermanët të cilët deri në qershor 1944 ishin të mundur dhe ndiqeshin në veri të Romës, batica tashmë ishte kthyer kundër tyre në Frontin Lindor, ndërsa luftimet në Francë dëshmuan se sa mund të arrinin. Ajo që ndodhi në Itali ishte vendimtare për suksesin e kësaj fushate.
Fakti që iu desh kaq shumë kohë aleatëve, pas zbarkimeve relativisht të drejtpërdrejta në Anzio, për të bërë përparim në veri dhe në lindje, ishte jo vetëm për shkak të udhëheqjes të dobët. Holland çmon mendimtarin Harold Alexander, gjeneralin e lartë britanik, dhe kërkon në mënyrë eksplicite të rindërtojë reputacionin e Mark Clarkut, komandantit amerikan. Të tjerët dalin jo aq mirë në oborrin e historisë dhe fajësohen për gabimet taktike që vonuan çlirimin përfundimtar të Romës: veçanërisht krahu i djathtë i Clarkut, gjenerali John Lucas, i cili përfundimisht u hoq nga posti i tij për humbjen e mundësive të ndryshme për të avancuar (dhe ai ishte më i lumtur në postin e ri si komandues në bregdet dhe jo në front).
Problemi i Alexanderit ishte gjenerali Bernard Freyburg, shumë i guximshëm (e fitoi Kryqin e Viktorias në Luftën e Parë Botërore dhe kishte tri dekorata të tjera), por thjesht nuk ishte inteligjent. Rrëmuja që ai i bëri Monte Kazino shpjegohet në detaje, si dhe paaftësia e tij për të kuptuar atë që njëri nga vartësit e tij shumë më të zgjuar, gjenerali Francis Tuker, ia shpjegonte atij (me saktësi) për të marrë majën e malit. Ashtu si në shumicën e luftërave, politika e zyrës luajti rol në të dyja palët: gjermanët u dërrmuan nga bindja fanatike se komandanti i tyre, Kesselring, kishte ide të ndryshme të çmendura që drejtoheshin nga Hitleri.
Kazino 1944 është libër i plotë dhe i hulumtuar në mënyrë të përpiktë dhe duhet të jetë standard në këtë aspekt. /Telegrafi/