Rezistenca nuk kishte të ndalur në bjeshkët e Pashtrikut

16 dhjetor 2019 | 11:15

LULZIM SAHITI

Eshaloni i UÇK-së në luftë me forcat armike të pritës dhe dimrin e acartë në Pashtrik (7)

Rezistenca nuk kishte të ndalur, mirëpo duhej ndërrimi i pozicioneve nga një vend në tjetrin. Me përkushtim e maturi të rrallë, Afrim Musliu kishte filluar tërheqjen e shokëve në të djathtë të bjeshkëve të Pashtrikut, rreth 100 metra nga vendi ku forcat serbe sulmonin pandërprerë. Aty do të pozicionoheshin prapa një shkëmbi së bashku me ushtarët: Baki Rashiti nga Petrova, Sadri Krasniqi nga Karaqica, Rifat Mujota nga Mollopolci, Idriz Hysenaj nga Petrova, Astrit Bytyqi, Nusret Musliu nga Reçaku, Selim Selimi, Hyzri Salihaj, i njohur me nofkën “Cëhëja” nga Mollopolci, Bashkim Beqaj “Paçuku” nga Shtimja, Hazir Kryeziu, Enver Olluri, Hyzri Musliu nga Belinci, Shemsi Dobruna, Veli Ballazhi, Avni Shiti, Vebi Mici, Besim Qarri, Beqir Luma e të tjerë. Pas 10 minutave, luftëtarët: Hazir Nezir Kryeziu (42-vjeçar, i zhdukur) nga Mleçani dhe Enver Zymer Ollurin (19) nga Krojmiri i Lipjanit tërhiqen nga ky pozicion duke shkuar teposhtë luginës së Pashtrikut, mirëpo ballafaqohen ballë për ballë me armikun dhe në këtë betejë të pabarabartë bien dëshmorë për të mos vdekur kurrë. Pjesa tjetër e ushtarëve të UÇK-së qëndrojnë të barrikaduar dhe nuk lëvizin rreth 12 orë nga ky vend deri sa është errësuar. Pas rënies së mjegullës, Baki Rashiti tuboi disa rripa nga lëkura dhe ka ndezur ngjyrën e këpucëve për t’u ngrohur. Po sa hiqej mjegulla, me borë e shuanin zjarrin për të fshehur gjurmët nga forcat armike. Kështu kalojnë rrezikun gjatë kësaj dite mirëpo ushtarët serbë nuk rrinin duarkryq, kishin lëshuar qentë për të gjurmuar nëpër mal. Përsëri duhej syçelëti e të ishin të kujdesshëm. Sapo vinin qentë kufitarë afër ushtarëve të UÇK-së, ata me topa bore i gjuanin për t’i trembur, kështu që të mos identifikohej pozicioni i tyre e duke mos i përdorë armët e zjarrta. Kështu e largojnë rrezikun e radhës.

Pashtrik, nga e djathta në të majtë: Isuf Abazi, Afrim Musliu dhe Arben Hyseni

Pasi kishte kaluar rreziku, Afrimi me shkathtësinë që kishte udhëzon luftëtarët të rifillojnë tërheqjen përpjetë bjeshkëve të thepisura të Pashtrikut. Ai me kondicionin që kishte zakonisht çante borën për të çelur shtegun, pas të cilit ecnin në kolonë: Rifati, Sadriu, Idrizi, Astriti, Nusreti, Selimi, Bashkimi, Hyzeri, Veliu, Beqiri e të tjerë. Me jelekun e veshur antiplumb prapa kolonës shkonte Baki Rashiti si mburojë e fortë e shokëve. Fillimisht tentojnë të dalin në shtegun nga kanë ardhur prej Shqipërisë, mirëpo duke ecur Bashkim Beqaj për pak ka qenë duke rënë në rrjetën e minave armike, ndërsa në të njëjtën kohë Idriz Hysenaj duke u mbajtur për thike të pushkës, ka shkrepur aksidentalisht një plumb në tokë. Detyrohen të kthehen mbrapa duke lakuar rrugën për t’u ngjitur më lartë, mirëpo nga lodhja e madhe kishte humbur vetëdijen Hyzri Salihaj dhe ishte shtrirë në borë. Pas tij, vjen Idrizi dhe e godet pa dashje me këmbë për të zgjuar nga agonia dhe për fat arrin ta këndellë. Përsëri vazhdojnë rrugën së bashku me shokë tjerë, dhe jo shumë larg nga aty, kësaj radhe hasin në kukulla me veshje ushtarake. Me të parë, ushtarët e UÇK-së shtangën në vend duke menduar se ranë në pritën e forcave jugosllave. Për të parë më mirë këtë, Nusret Musliu kishte një palë dylbi të natës. Me këtë rast, kanë vërejtur se pranë kukullave mashtruese ishte karakolli i Ushtrisë Jugosllave. Në çdo çast mund të ndodhte ndonjë befasi e pakëndshme, mirëpo, si njohës i mirë i këtij terreni, Afrimi, largon panikun nga ushtarët duke ju treguar se forcat armike kanë vendosur kukulla të minuara dhe duhet pasur kujdes të shtuar gjatë tërheqjes nga kjo zonë e rrezikshme. Nata ishte akull e ftohtë por kjo nuk i ndalte çlirimtarët të ecnin. Mbi vetullat e secilit kishte rënë vesë e bardhë, e cila nga lagështia e ajrit ishte ngrirë, ndërsa në mustaqet e Rifat Mujotës, një shtresë e hollë kristalesh ishte formuar nga ngrirja e avullit që dilte nga goja e tij. Dalëngadalë një pjesë të ushtarëve vjen duke i lëshuar fuqia dhe gjatë ecjes mbushën frymë. Idriz Hysenaj dhe Hyzri Musliu bënin përpjekje të vazhdueshme në ndihmë të shokëve të luftës: Besim Qarri, Selim Selimi dhe Astrit Bytyqi. Ndërkohë vjen një erë e rrëmbyeshme sikur tornado nga fuqia e së cilës rrëzohen në borë të gjithë ushtarët. Këtu, vorbulli i erës bënë shkëputjen e këtyre ushtarëve me pjesën tjetër që ishin pak më para. Të gjithë mbërrijnë në maje të Pashtrikut, në lartësinë mbidetare prej 1700 metra, por tash ishin ndarë në tri grupe. Natën ndërmjet 14 – 15 dhjetorit, Vebi Mici bashkë me Avni Shitin e kalojnë përjashta një bunkeri të mbushur me dhe nga të reshurat atmosferike. Për t’u ngrohur, ata grumbullojnë krënde dhe ndezin do rroba civile që kishin me vete. Për të ndez zjarrin nxjerrin barutin nga fisheku. Në këto rrethana të rënda shpeshherë ishte në pyetje edhe gjindshmëria dhe përvoja jetësore. Ndërsa pak më lartë, qëndronin Idrizi, Selimi, Besimi, Astriti dhe Hyzri Musliu, të cilët e kalojnë natën bashkërisht. Ndërkaq, Afrimi, Veliu, Bakiu, Rifati, Bashkimi, Nusreti, Avniu, Sadriu, Beqiri, Shemsiu dhe Hyzri Salihaj kanë qenë vetëm pak metra më tutje. Në realitet, grupet e tyre ishin shumë afër njëri me tjetrin por ata këtë nuk e dinin sepse moti i lig e pamundësonte orientimin dhe kontaktin në mes vete. Mjaftonte vetëm pak metra të ishe mbrapa grupit dhe më askush nuk mund të binte në gjurmë.

Ushtarët çlirimtarë gjatë rrugëtimit të tyre nëpër bjeshkët e Pashtrikut

Tashti lufta me armikun kishte mbaruar por vazhdonte lufta tjetër me motin e ftohtë, i cili vështirësonte lëvizjen e ushtarëve. Temperatura ishte rreth minus 20 gradë celsius. Era kishte grumbulluar borën nëpër gropa e hendeqe që ishin vështirë të kalueshme. Mbretëronte errësirë e madhe, mjegull e dendur që papritur kishte mbështjellë majat e maleve të Pashtrikut. Nga acari i madh dëgjohej pëlcitja e degëve të lisave. Frynte një erë e ftohtë që të përlante nga të katër anët. Shumica e ushtarëve të UÇK-së kishin veshmbathje të lagështa dhe ndjenin rraskapitje të përgjithshme. Qëndrimi i gjatë në natyrë, në temperatura ekstrem të ulëta tashmë kishte bërë të veten duke shkaktuar ftohjen e pjesëve periferike të trupit: Hundën, veshët, gishtat, duart dhe shputat. Mandej, kishte filluar tek ta të shfaqej lodhja, hutia dhe ndjenja e madhe për gjumë. Sipas rrëfimeve të pjesëmarrësve në këtë ngjarje, thuhet se të gjitha funksionet trupore dhe psikike u ngadalësuan tek ushtarët që atë natë bridhnin poshtë e lartë pa ditur orientimin se nga do të shkojnë. Madje, tek disa ushtarë filluan të lajmërohen edhe ëndrrat dhe të shfaqen halucinacionet.

Në mëngjes, më 15 dhjetor, Astriti kërkon nga Idrizi dhe Hyzriu që të shkojnë te stanet për të kërkuar ndihmë për tërheqjen e tyre. Të tretë ishin dërmuar sidomos nga lodhja e të ftohtit e madh, mirëpo Idrizi para se të nisej ia kishte shtruar xhaketën e vet, Besimit. Mandej, vazhdojnë rrugën e pafund dhe pa adresë. Ecin shtigjeve të Pashtrikut nëpër borë, të mbështjellë sy e vesh nga të ftohtit, pa ditur orientimin se nga do të shkonin. Kushtet atmosferike kishin ngatërruar orientimin e tyre në natyrë, ku mjegulla e dendur vështirësonte të gjendej rruga e daljes matanë Kosovës. Në maje të Pashtrikut, nga mesi i ditës e shohin Veli Ballazhin, duke ecur i vetmuar si në labirint. Për çudi kalojnë pranë njëri-tjetrit pa shkëmbyer asnjë fjalë. Sërish i zë nata të dy së bashku pa bërë asnjë zgjedhje për shokët dhe veten e tyre gjithashtu. Ndërkaq, në orët e pasdites së 16 dhjetorit, Idriz Hysenaj dhe Hyzri Musliu takojnë rastësisht dy ushtarët e fshatit Dimcë të Hanit të Elezit, Vebi Micin dhe Avni Shitin, me të cilët pak pa u errësuar kanë parë një helmetë ushtarake të hedhur në borë dhe një shirit të verdhë ndriçues të lidhur për një shkurre. Përmes tyre marrin një orientim dhe arrijnë të shkojnë me shumë mundime te stanet. Nga aty nisën për në bazën e tyre në Vlahën.  (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtari dhe aktori i njohur Justin Timberlake është duke u…