Rezoluta për të pagjeturit nuk del në votim, shkak mungesa e kuorumit
Kuvendi i Kosovës ka ftuar të enjten në interpelancë kryeministrin Avdullah Hoti rreth temës së personave të pagjetur si pjesë e zotimeve të marrëveshjes me Serbinë më 4 shtator në Uashington.
Rezoluta e cila është paraqitur deputetëve nuk ka dalë në votim për shkak të mungesë së kuorumit.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, iniciuese e interpelancës, ka folur edhe njëherë pas pjesës së parë të seancës plenare, e cila ka kaluar me tensione ndërmjet deputetëve të LV-së dhe atyre të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Qysh nga mosha 14-vjeçare së bashku me familjen time kemi luftuar me Serbinë për drejtësi dhe vazhdoj ende. Nuk toleroj askush të më drejtohet me gisht apo të përmend familjen time. Kjo është e papranueshme. Atë çka e kemi bërë, ka qenë jo vetëm për familjen, por ka qenë kontribut për vendin”, ka thënë ajo.
Bogujevci ka thënë se deri tani nuk kanë marrë të dhëna të qarta se si po trajtohet çështja e të pagjeturve në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
“Sa i përket pyetjeve rreth çështjes së dialogut drejtuar qeverisë, nuk kemi marrë diçka konkrete. Ne kemi trajtuar tema specifike dhe kemi dhënë propozime specifike. Është tepër me rëndësi që çështja e të pagjeturve të trajtohet me dinjitet karshi Serbisë dhe nuk guxon të ketë barazim të kësaj çështjeje, pasi që është e rëndësishme që Kosova të di saktësisht çka kërkon nga Serbia”, ka thënë ajo, duke lexuar para deputetëve rezolutën e cila thekson se çështja e personave të pagjetur nuk mund të kushtëzohet me asnjë çështje tjetër.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës thekson se çështja e personave të pagjetur nuk mund të ndërlidhet kushtëzohet apo ndërvaret nga asnjë çështje tjetër. Qeveria e Kosovës duhet të insistojë në adresimin e çështjes së të pagjeturave në harmoni të plotë me standard dhe mekanizma ndërkombëtar. Kuvendi i i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës të mos pranojë të bisedojë me cilindo zyrtar nga Serbia pa ofrimi ne menjëhershëm të informacioneve për vendndodhjen e gjithë personave që nuk janë gjetur luftës së fundit”, ka thënë ajo.