
Rezolutë në Kongresin Amerikan, kërkohet ndëshkim për krimet e dhunës seksuale në Kosovë
Anëtarë të Kongresit Amerikan, demokratë dhe republikanë kanë paraqitur një rezulotë me anë të cilës kërkohet të nderohet e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Vasfije Krasniqi – Goodman.
Kongresistja, Julie Johnson, anëtare e Komisionit e cila edhe e prezantoi Rezolutën, tha se Krasniqi-Goodman ishte adoleshente kur u torturua dhe u përdhunua nga forcat serbe gjatë luftës.
“Megjithë detajet rrëqethëse të rastit të saj, askush nuk është vënë kurrë para drejtësisë. Guximi i saj për të ndarë publikisht historinë e saj e ka bërë atë një zë global për të mbijetuarit e dhunës seksuale të kohës së luftës”, ka thënë Johnson.
“Forca e Vasfijes ka frymëzuar njerëz të panumërt në mbarë botën, por drejtësia për atë që ajo duroi nuk ka ardhur kurrë. Kjo rezolutë dërgon një mesazh të qartë: komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të shikojë larg krimeve të luftës. Të mbijetuarit meritojnë përgjegjësi – jo heshtje. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me atë që ndodhi 25 vjet më parë – ka të bëjë me atë që ne jemi të gatshëm të bëjmë tani për të mbrojtur të drejtat e njeriut, për të fuqizuar të mbijetuarit dhe për të thënë të vërtetën”, tha ajo më tej.
Kësaj Rezolute i është gëzuar Vasfija, e cila nëpërmjet një postimi në Facebook ka falënderuar kongresistët.
“Një hap i rëndësishëm në luftën tonë për drejtësi – Anëtarë të Kongresit Amerikan, Demokratë dhe Republikan kryesuar nga kongresistët Julie Johnson, Keith Self, Ritchie Torres, Jim McGovern, Marc Veasey, Alexandra Ocasio-Cortez, George Latimer, Mike Laëler, dhe Ilhan Omar, paraqitën në Kongresin Amerikan, Rezolutën 26 që bën thirrje për drejtësi dhe që t’i jepet fund pandeshkushmërisë së krimeve të dhunës seksuale nga forcat serbe gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, në rastin tim dhe gjithë të mbijeturave të tjerë”.
Bashkëhartuese e kësaj Rezolute është Vera Mjeku, të cilën Krasniqi-Goodman e ka falënderuar poashtu.