Rezolutë për Kosovën. Grupi i Partisë Socialiste dhe opozita do të ulen për të unifikuar draftin final

04 tetor 2023 | 16:36

Grupet parlamentare të PS-së dhe PD-së propozues të dy rezolutave për Kosovës u dakordërsuan në Konferencën e Kryetarëve në të punuarit bashkarisht në unifikimin e këtyre dy rezolutave.

Kryetarja socialiste e komisionit parlamentar për punët e jashtme dhe nënkryetari demokrat pritet të ulen bashkë me synim e çuarjes në parlament të një rezolute të vetme.

“Nuk duhet të përbënte lajm fare por është lajm i mirë gjithsesi që  ne kemi arritur  në një konsensus që të bashkojmë të dy qëndrimet tona në rezoluta që kemi paraqitur të dalim me një rezolutë të përbashkët për ngjarjet e fundit në veri të Kosovës”, u shpreh kryetari i Grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi.

Parlamenti do të përfshihet në një seancë me mocion nga ku do të diskutohet e miratohet një rezolutë për situatën në Kosovë.

Draft rezoluta e dorëzuar në Kuvend nga Grupi Parlamentar i PS-së, reflekton qëndrimet e deritanishme publike mbajtur nga kryeministri Edi Rama.

Kjo rezolutë me 13 pika kërkon “Dënimin e sulmit të armatosur terrorist në veri të Republikës së Kosovës dhe mbështetjen e përpjekjeve për garantimin e sigurisë dhe paqes në vend e në rajon”.

“Përgëzon institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës për maturinë dhe profesionalizmin e tyre si dhe vlerëson forcat e EULEX-it dhe KFOR-it për gatishmërinë, bashkëpunimin dhe angazhimin në aksionin për zmbrapsjen e sulmeve kriminale të njësive terroriste dhe neutralizimin e përpjekjeve për përshkallëzimin e konfliktit në veriun e Kosovës dhe destabilizimin e vendit.  Kërkon nga Serbia që të heqë dorë nga qëndrimet dhe veprimet armiqësore e luftënxitëse ndaj Republikës së Kosovës.  Të hapë një hetim serioz e transparent ndaj tërë organizatorëve dhe shkaktarëve të operacioneve ushtarake terroriste ndaj Republikës së Kosovës dhe të dorëzojë kriminelët”.

Ndërkohë, prej datës 29 shtator nga grupi parlamentar i PD-së është dorëzuar një tjetër rezolutë po për Kosovën.

Gazment Bardhi u shpreh i kënaqur për vendimin e marrë në Konferencën e Kryetarëve në mbajtjen e një seance të posaçme për rezolutën.

“Është rënë dakord me propozimin tonë që të kemi një seancë të posaçme dedikuar vetëm Kosovës më datën 12 tetor pra të enjten e javës që vjen dhe koha e debatit të jetë rreth 5 orë”, tha Bardhi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është inauguruar të mërkurën objekti i ri i Qendrës së…