Rezultatet e sondazhit: A duhet të pezullohet mësimi në shkollat në Republikën e Kosovës?

09 mars 2020 | 20:21

Konfirmimi se dy persona janë të prekur me koronavirusin e ri në Shqipëri, ka shkaktuar sot panik në masë të madhe në Republikën e Kosovës.

Të shqetësuar tej mase me përhapjen e koronavirusit janë edhe mësimdhënësit kosovarë. Me anë të një sondazhi, të realizuar nga gazeta “Epoka e re”, ata kanë deklaruar se “abstenojnë”, janë për “po” ose “jo” që të pezullohet mësimi për një farë kohe.

Mësimdhënësit theksojnë se te nxënësit janë paraqitur disa simptoma, si: kollë, temperaturë, marramendje, ethe, ligështim etj. Këto simptoma, sipas tyre, kanë bërë që nxënësit të mungojnë dhe të mos jenë të rregullt në mësime tash e një kohë.

Mungesa e nxënësve në numër të konsiderueshëm dhe përhapja edhe më e këtyre simptomave ka nxitur mësimdhënësit tanë që të deklarojnë se janë për pezullimin e mësimit përkohësisht.

Lidhur me situatën epidemiologjike të koronavirusit në Republikën e Kosovës, në pyetjen e parashtruar: A mendoni se shkollat në Republikën e Kosovës duhet të mbyllen përkohësisht?, kemi arritur në këto rezultate:

65.34% e mësimdhënësve të Republikës së Kosovës mendojnë se më e drejtë është që të mbyllen shkollat përkohësisht (po),  përderisa 29.36% e mësimdhënësve mendojnë se shkollat nuk duhet të mbyllen fare (jo) dhe 5.29% e mësimdhënësve të tjerë abstenojnë (abstenoj).

Ka prej mësimdhënësve që kanë filluar të bëjnë përgatitjen e librave digjitalë, kështu për t’u tejkaluar çdo sfidë e mundshme.

“Kam biseduar më disa shokë nga komunat e Kosovës. Ata më kanë thënë se kanë filluar t’i digjitalizojnë librat, për të qenë të gatshëm për çdo sfidë”, ka shkruar njëri nga mësimdhënësit.

Gazeta “Epoka e re” ka kontaktuar edhe me disa nga drejtorët e shkollave të kryeqytetit. Disa prej drejtorëve konsiderojnë se nuk ka diçka zyrtare dhe procesi mësimor duhet të vazhdojë, por disa të tjerë thonë se procesi mësimor duhet të përfundojë tani.

Shemsedin Beqiri, drejtor në gjimnazin “Eqrem Çabej” në Prishtinë, ka thënë se nuk duhet të nxitojmë që të mbyllen shkollat.

“Nuk duhet ngutur në marrjen e masave të tilla, meqë nuk kemi të shfaqur asnjë rast me këtë virus. Marrja e një mase të tillë mund të prodhojë dramacitet të panevojshëm dhe të frikshëm”, pohoi Beqiri.

Mendim të kundërt nga drejtori Beqiri, ka drejtori i shkollës “Hilmi Rakovica” në Prishtinë. Skender Halimi, drejtor, është shprehur se duhet të pezullohet mësimi sa më parë. Sipas tij, kontakti i mësimdhënësve me nxënës bën që virusi të përhapet shpejt e papritmas.

“Në shkolla numri i nxënësve është shumë i madh. Ky numër paraqet potencial të madh për përhapjen më të shpejtë të koronavirusit në hapësirat e shkollës”, tha Halimi.

Në lidhje me përhapjen e koronavirusit nuk ka reaguar asnjë nga drejtorët e DKA-ve në Republikën e Kosovës.

MAShT-i  për secilën situatë të krijuar është duke u konsultuar me Ministrinë e Shëndetësisë (MSh).

Kujtojmë se, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë të hënën se është mirë të merret një vendim për mbylljen njëjavore të shkollave.

Nga ana tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (ISHPK) ka bërë të qartë se sot janë testuar pesë pacientë të dyshuar me koronavirus. Sipas analizave laboratorike të mostrave të marra, pacientët kanë rezultuar negativë në virusin SARS-CoV-2.

/Mentor Hajrizi/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka pranuar se e…