Rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit: LDK-ja e para, LV-ja e para, PDK-ja e para, AAK-PSD e para, Nisma e para, PEK e para, Lista Serbe e para, Sloboda e para, kush do të jetë e dyta?!

04 tetor 2019 | 12:40

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Jo parashikim por, thjesht, një fall: Që nga përfundimi i luftës në Kosovë kurrë nuk ka qenë më vështirë të parashikohen rezultatet e renditjes së partive apo koalicioneve, nga vendi i parë e deri te subjekti i fundit në listë e që e kalon pragun. Në të njëjtën kohë, kurrë nuk ka qenë më lehtë të parashikohet fituesi për faktin se të gjitha partitë politike dhe koalicionet, ende pa përfunduar procesi i votimit, e kanë deklaruar veten si fitues sikur që të gjithë kandidatët e nominuar për kryeministër po flasin sikur vërtet të ishin në ato poste dhe vetëm po iu mungon zyra e kryeministrit, në ndërtesën e shëmtuar të Qeverisë së Kosovës. Gjatë fushatës, para zgjedhjeve dhe në ditën kur votohet dalin disa rezultate preliminare që rrallëherë përputhen me rezultatet përfundimtare qoftë edhe nëse kemi parasysh margjinën e lejuar të gabimeve, +-3 për qind. Pse ndodhë kështu? Në fakt, të gjitha subjektet politike i bëjnë sondazhet në bazë të të cilave edhe i marrin veprimet. Nëse këto rezultate janë të favorshme për një subjekt politik atëherë i bëjnë publike kurse, nëse dalin keq, i heshtin dhe bëjnë sondazhe me porosi që të dalin mirë. Ambasadat e huaja dhe agjencitë e huaja i bëjnë sondazhet për nevoja të brendshme dhe për ndërtim të koalicioneve midis partive duke injoruar në mënyrë diplomatike vijat e kuqe apo të tjera. Sondazhe bëjnë edhe mediat elektronike sikur edhe organizata apo individë që paguhen për këtë prandaj, në jo pak raste: “e lidhin kalin ku iu thotë zotëria (porositësi)”. Subjektet serioze politike e kanë të qartë këtë, prandaj brenda partisë janë realistë, kurse për opinion bëhen ekzibicionistë! Pas përfundimit të luftës ishte një situatë shumë më e lehtë dhe më e menaxhueshme, si në aspektin e parashikimit ashtu edhe të monitorimit. Lufta politike bëhej midis dy subjekteve politike, LDK-së dhe PDK-së, e që më vonë u ngatërrua skena politike për faktin se kush donte e formonte një parti duke e koreanizuar dhe kinezuar këtë skenë. As në Kinë e as në Kore apo Mongoli nuk keni aq shumë parti për kokë banori si në Kosovë. Në të gjitha zgjedhjet kam parashikuar rezultatet dhe kam qenë tmerrësisht i saktë në renditje të subjekteve politike. As nuk kam bërë sondazhe, as hulumtime por, thjesht, jam mbështetur në analizën time duke marrë parasysh faktorin e brendshëm dhe të jashtëm, proceset politike e sidomos interesin e vendimmarrësve ndërkombëtarë në këto procese. Formimi i koalicioneve pas këtyre analizave ka qenë lehtësisht i parashikueshëm. Bënim baste për ndonjë pije apo darkë e që i fitoja, pa asnjë problem. Herën e fundit, kur flitej për koalicionin parazgjedhor midis LDK-së dhe LV-së, me insistim të disa miqve që të deklarohem nëse do të ketë koalicion apo jo, prerazi kam thënë se nuk do të ketë koalicion të tillë dhe për këtë e kemi fituar nga gjysmë pule unë dhe Artani, por se Milazimi nuk e ka shlyer borxhin, jo pse i dhimben katër euro për një pulë e gjysmë, por se e ka huqur parashikimin. Edhe për lexuesit e “Epokës së re”, në një intervistë, disa muaj më parë, pata deklaruar se bisedimet midis LDK-së dhe LV-së shkojnë mirë deri kur arrihet momenti të caktohet infrastruktura qeverisëse. Ashtu ndodhi dhe e njëjta do të ndodhë pas zgjedhjeve!

Gjatë parashikimit të zgjedhjeve apo rezultatit nuk më kanë interesuar raportet shoqërore apo simpatia ose antipatia ndaj një subjekti të caktuar politik e që këtë parim e kam edhe sot. Të gjithë lexuesit e kanë të qartë që në çdo analizë për zgjedhjet e 6 tetorit 2019, LDK-në e kam konsideruar si fituese potenciale, PDK-në parti të dytën apo, ndoshta, edhe të parën, LV-në të tretën, AAK-PSD të katërtën, Nismën, pa AKR-në, të pestën etj. Pavarësisht prej rrethanave, asnjëherë nuk e vë në pyetje reputacionin tim për t’i plotësuar dëshirën një partie apo individi. Unë do të dukesha shumë qesharak nëse, për t’i plotësuar dëshirën dikujt, do të deklaroja se LDK-ja nuk e kalon pragun zgjedhor apo se PEK-u do të jetë fitues i zgjedhjeve. Para zgjedhjeve disa subjekte politike apo individë i kapin ethet për faktin se mund ta humbin pushtetin apo se nuk mund të zgjidhen deputetë, por unë nuk jam ai fallxhori që me një hajmali apo hokus-pokus i veshi me pushtet apo i bëj deputetë. Edhe unë kam dëshirë që, ndoshta, një mik imi të bëhet deputet, por se nuk e përkrahi publikisht nëse gjasat e tij apo të saj varen në bisht të sorrës!

Mangësitë apo improvizimet e fushatës: Fushata e të gjitha subjekteve politike vuan nga një kallëp, me ç’rast nuk u kujtohet rëndësi programeve politike, ekonomike, arsimore, kulturore apo zhvillimore, pra ofertës që ka cilësi dhe interes për votuesit, por se krijohet një situatë e fatamorganës apo manipulimit me numrin e pjesëmarrësve në ato tubime, anës sasiore. Nuk diskutohet për ofertën, por diskutohet se a e mbushën sheshin, sallën sportive apo ndonjë hapësirë më të madhe partitë garuese. Nuk i kushtohet vëmendja veshit të votuesit, por syrit! Pjesëmarrja e madhe apo e vogël në tubime të fushatës nuk është pasqyrim real i forcës së subjektit politik e as tregues se sa vota do të fitojë. Nëse analizoni të gjitha subjektet politike, pa përjashtim, se sa arrijnë ta sigurojnë pjesëmarrjen e votuesve, atëherë do të shihni se kemi përsëritje të së njëjtës përbërje, nga vendi në vend, të personave të njëjtë, prandaj më shumë i ngjanë një cirku shëtitës elektoral sesa një fushate të mirëfilltë elektorale. Sot, në kohën kur klientelizmi në Kosovë është shndërruar në shenjë identifikimi dhe mënyrë të të mbijetuarit, aspak nuk është e vështirë ta mbushni një hapësirë me votues shëtitës të shndërruar në shërbyes të partive politike.

Kush do të bëhet deputet dhe mungesa e karizmit: Problemi më i madh i subjekteve politike para zgjedhjeve është përpilimi i listave dhe renditja në lista. Këtu thyhen më së shumti shtizat; autsajderët duan të bëhen pjesë e listës, kurse ata që meritokracinë e kanë me fletë poseduese duan të jenë sa më lart në ato lista. Çdo lider apo subjekt politik, varësisht nga fuqia, e ka një 10-she që, fituan apo nuk fituan votat e mjaftueshme, bëhen deputetë. Është një e vërtetë publike se hajnitë që bëhen gjatë procesit të votimit mund të llogariten si vepra humanitare krahasuar me hajnitë që bëhen brenda partive. Në këtë rast shtyhen ata që mendoni se ju shërbejnë apo eliminohen ata që i konsideroni si problematic guys, çuna problematikë! Hartimi i listave dhe radhitja në lista varet nga kapaciteti i liderit, ndikimi i tij, aftësia për bindje apo karizma.

LDK-ja që nga vdekja e Ibrahim Rugovës ka pasur mungesë kronike të liderëve karizmatikë dhe as sot e kësaj dite në LDK nuk ka autoritet të cilit nuk i kundërshtohet apo person karizmatik. Subjektet e tjera politike kanë persona karizmatikë që nuk iu prishet tymi i duhanit pavarësisht e kanë mirë apo jo. AAK-ja e ka Ramush Haradinajn si karizma numër një (1) dhe Daut Haradinajn si karizma numër dy (2). Ata janë Statuti i partisë, Rregullorja e Partisë dhe Kushtetuta e AAK-së. PDK-ja ka disa persona karizmatikë siç janë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Sami Lushtaku dhe Ramiz Lladrovci. Këta bëjnë ligje në PDK dhe këta e marrin çdo vendim. Në LV karizma supreme është në personalitetin e Albin Kurtit, kurse kseroks karizma (fotokopje) është e Agim Bahtirit. Çka thotë Albini, e vulos Agimi! Në Nisma personi karizmatik është Fatmir Limaj, kurse në hije karizma i takon Jakup Krasniqit. Në Listën Serbe personi karizmatik është Aleksandar Vuçiqi i cili është baba i këtij monstrumi shovinist politik, kurse PSD-ja dhe AKR-ja nuk kanë liderë karizmatikë, ndërkohë që këta që shiten si karizmatikë, karizmën e kanë, ose të shpifur ose të blerë me para. Nenad Rashiqi është lideri i vërtetë karizmatik i serbëve të Kosovës. Tash për deputetë, lista dhe dëshira ime: Në LDK do të dëshiroja të jenë deputetë Kujtimi, Ismeti, Lirija, Marigo, Arbeni, Floriani, Arbani, Vjosa, Doruntina dhe ndonjë përfaqësues i moshës së re që është premtues e jo klient i liderit.

Në PDK, përveç atyre që e kanë mandatin 100 për qind të sigurt, do të doja të jenë edhe Shqiptar Demaçi, Merita Makolli, Abelardi, Valdetja, Liza, Blerimi, Memli dhe Valoni.

Në LV pëlqej të jenë deputetë, Saranda, Fitorja, Besa, Albulena, Glauku, Liburni, Artani, Arbëri, Arbeni etj.

Në AAK përkrah Ahmetin, Donikën, Besnikun, Albenën, Teutën, Davidin etj.

Nisma për Kosovën nuk ka kuptim të përfaqësohet në Kuvend pa Zafirin, Valdeten, Haxhinë e sidomos vlerë e shtuar e Nismës është Bilall Sherifi që ka potencial politik dhe intelektual sa Nisma e AKR-ja bashkë, hiç këtu Jakup Krasniqin i cili, më shumë do të duhej të merrej me histori se me politikë. Pastaj, duke e njohur mirë Jakupin, nuk besoj se Jakupi dhe Begjet Pacolli mund të hanë nga i njëjti kazan.

A do ta kem edhe unë fatin e Hashim Thaçit? Fjalori i dhunshëm që po përdoret në fushatë e ka vënë në siklet Shkëlqesinë e Tij, Presidentin e Republikës së Kosovës dhe Komandantin e Përgjithshëm të FSK-së, z. Hashim Thaçi. Nga një njeri i kamur dhe i sistemuar, e ka shndërruar në një homeles, njeri pa shtëpi dhe katandi. Pas kërcënimeve që po ua bëjnë kryeministrat e Kosovës, zonja Vjosa Osmani dhe zotëri Albin Kurti se do ta shkarkojnë nga posti dhe se do ta arrestojnë, Hashim Thaçi e ka marrë botën në sy dhe nuk po ka guxim t’i kthehet familjes e as Kosovës për të cilin kanë shumë nevojë, familja në aspektin emocional, por më shumë kanë nevojë qytetarët e Kosovës që aq shumë e duan dhe e respektojnë dhe pa të cilin nuk mund ta paramendojnë jetën. Hashim Thaçi, për shkak të pasigurisë personale dhe fjalorit kërcënues nga dy kryeministrat e Kosovës, zonja Osmani dhe zotëri Kurti, është bërë refugjat duke kaluar tërë kohën larg vendit dhe popullit që i do aq shumë. Të gjithë jemi dëshmitarë për shtegtimin e tij, jashtë vullnetit, në vendet siç janë Japonia, ShBA dhe Franca. Hashim Thaçi shkoi në Francë për të marrë pjesë në varrimin e presidentit Zhak Shirak, kurse nuk mori pjesë në varrimin e Malush Kurleshit, figurë e shquar poliedrike dhe pobratim i Titos. Me trajtimin që po ia bëjmë Hashim Thaçit, duke e detyruar të jetojë në hotele super modeste me shtatë yje (7) dhe duke ngrënë ushqim të thatë sikur puna e biftekut të Nexhatit në Nju Jork, ne po tregojmë se jemi popull që nuk di të respektojë as shtetin e as pushtetin (Hashimin). Mendoj se presidenti Thaçi po pret rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 para se të marrë një vendim; a do t’i kthehet popullit të dashur dhe Kosovës që aq shumë po e ndiejnë mungesën e tij apo do të bëhet Mbreti Hashim Zogu, pasardhës i Ahmet Zogut! Për këtë arsye mendoj se nuk do të ndodhë koalicioni LDK-AAK.

Fituesit dhe jofituesit: Në këto zgjedhje nuk do të ketë fitues, por do të ketë humbës të mëdhenj dhe humbës të vegjël. Jo se votat ua pamundësojnë kurorën me dafina, por se proceset politike ndërkombëtare do t’i përcaktojnë koalicionet si dhe rendin e ditës së aktiviteteve të institucioneve të reja. Për aq sa kam kuptuar, nëse kuptoj fare, rendi i ditës i aktiviteteve të reja pas zgjedhjeve do ta ketë vetëm një pikë: heqja e taksës 100 për qind për mallrat e Dodigut dhe birit të Fahriut, bisedimet fleksibile me Serbinë dhe marrëveshja që shkakton dhimbje. Të gjitha premtimet e tjera mbesin të arkivuara, vetëm si premtime.

Po të mbaheshin zgjedhjet në këtë çast kur po shkruaj, ora 14.30 minuta, 3 tetor, renditja do të ishte: LDK, PDK, LV, AAK dhe Nisma. Deri të dielën mund të ndodhin ndryshime, varësisht nga angazhimi në terren dhe përkrahja ndërkombëtare. Duhet të jeni, së paku i marrë e të besoni se një shtet apo qeveri, pavarësisht prej simpative apo interesit, do t’ju përkrahë publikisht qoftë si parti, qoftë si individ. Për mua është skajshmërisht inkurajues fakti se një ish-prokuror, si puna e Witakerit, në shenjë miqësie dhe respekti e bën një rrugë aq të gjatë e aq të mundimshme dhe si shpërblim i mjafton vetëm një kingburger! Mendoj se ky kingburger do të hyjë në Librin e Ginisit për shkak të çmimit të paguar. Edhe si rezultat përfundimtar nuk shoh ndryshime përveç se për vend të parë do të bëhet luftë e ashpër midis PDK-së dhe LDK-së. Mendoj se çdo subjekt politik që i fiton 25 për qind të votave mund të jetë fitues potencial, me margjinën e lejuar të huqjes, +- 3 për qind.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këtë porosi duhet ta mbajë në mendje secila votuese dhe…