Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve mund të shpallen javën tjetër
Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor në Kosovë (KQZ), Valmir Elezi, ka thënë të premten se javën tjetër mund të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
Sipas tij të shtunën mund të përfundojë rinumërimi i vendvotimeve për të cilat ka vendosur KQZ-ja dhe vlerësimi i pakove të supozuara me fletëvotime, të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës.
“Kjo na bon të mundur që të fillojmë pastaj me numërimin e votave me kusht dhe votave që kanë ardhur me postë. Pas përfundimit këtyre dy proceseve dhe procedurave tjera në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, KQZ-ja mund të bëjë shpalljen përfundimtare të rezultatit të zgjedhjeve. Po besojmë shume që kjo do të mund të bëhet në fillim të javës që vjen”, ka deklaruar ai.