Rezultatet preliminare në Mal të Zi e nxjerrin fitues partinë e Spajiçit dhe Jakov Milatoviçit

11 qershor 2023 | 23:09

Në Mal të Zi kanë përfunduar votimet për zgjedhjet parlametare dhe sipas rezultateve preliminare të Qendrës për Monitorim dhe Kërkim (CeMI), lëvizja centriste “Evropa Tani” që udhëhiqet nga Milojko Spajiç, ka fituar rreth 26 për qind të votave (23 mandate), bazuar në mbi 90 për qind të mostrave të përpunuara.

Koalicioni opozitar “Së bashku” i udhëhequr nga Partia e Demokratike Socialistëve, Socialdemokratët, Bashkimi Demokratik i Shqiptarëve dhe Partia Liberale ka fituar rreth 23 për qind të votave (21 mandate), kurse koaliconi “Për të ardhmen e Malit të Zi” i udhëhequr nga Demokracia e Re Serbe rreth 15 për qind (14 mandate).

Koaliconi “Guximi numërohet” i udhëhequr nga Demokratët e Aleksa Beçiçit dhe Lëvizja Qytetare URA e kryeministrit në detyrë Dritan Abazoviç ka arritur të fitojë rreth 13 për qind (12 mandate), sipas rezultateve preliminare të publikuara të dielen mbrëma nga CeMI.

Nga 81 vende deputetësh nga sa numëron Kuvendi i Malit të Zi, fatin e tyre në zgjedhje e provuan edhe dy lista të shqiptarëve. Forumi Shqiptar i udhëhequr nga Nik Gjeloshaj ka arritur të fitojë rreth 2 për qind të votave (2 mandate), ndërsa Aleanca për Shqiptarët e Genci Nimanbegut ka fituar rreth 1.5 për qind (1 mandat).

Sondazhet dhe analistët veçse e kishin parashikuar se “Evropa Tani” që drejtohet nga eksperti financiar Milojko Spajiç dhe presidenti aktual Jakov Milatoviç, do të dalë e para, por pa mandatet e mjaftueshme në Kuvendin e Malit të Zi për ta formuar e vetme ekzekutivin malazez.

Më shumë se 542 mijë qytetarë kanë pasur të drejtë të zgjedhin mes 15 partive dhe kandidatëve prej grupeve pro-perëndimore e deri te ato pro-serbe dhe pro-ruse, ndërsa  këto zgjedhje ishin të parat në më shumë se 30 vjet, në të cilat nuk mori pjesë Milo Gjukanoviç – udhëheqësi më jetëgjatë në rajon.

Mali i Zi është zhvilluar si një shoqëri në një tranzicion të gjatë dhe një demokraci relativisht e qëndrueshme shumë-etnike deri në vitin 2020. Mali i Zi është i vetmi nga pesë vendet post-jugosllave (plus Shqipëria) që i ka hapur dhe mbyllur të disa kapituj në negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Prof. Elez Osmani Udhëtimet nuk janë gjithmonë të bukura.…