“Rezultati i luftës në Ukrainë do të përcaktojë fatin e botës“
“Rezultati i luftës në Ukrainë do të përcaktojë fatin e botës”, kështu deklaroi sot toger admirali, Rob Bauer në fillim të takimit të Komitetit Ushtarak të NATO-s në Bruksel.
“Kjo luftë nuk ka qenë kurrë shkaku i ndonjë kërcënimi real për Rusinë nga Ukraina ose NATO. Kjo luftë ka të bëjë me frikën e Rusisë nga diçka shumë më e fuqishme se çdo armë fizike në Tokë, e cila është demokracia”, tha ushtaraku holandez.
Ai vlerëson angazhimin e jashtëzakonshëm të ushtrisë ukrainase dhe ushtarëve të saj, raporton politico.
“Në errësirën e luftës, ata janë një fener që i tregon botës se çfarë do të thotë të luftosh për atë që beson”, tha Bauer.
Sipas tij, NATO-ja në veçanti duhet të forcojë mbrojtjen e saj kolektive. Të gjithë hapat e nevojshëm për këtë “nuk duhet të bien mbi supet e atyre me uniformë”.
“Për të forcuar mbrojtjen tonë kolektive dhe në të njëjtën kohë për të mbështetur Ukrainën në luftën për mbijetesë, ne kemi nevojë për një qasje të re në nivelin e të gjithë shoqërisë”, tha admirali holandez.
Ndryshe, gjatë takimit dy-ditor, zyrtarët e lartë ushtarakë të NATO-s pritet të finalizojnë planet për stërvitjen më të madhe ushtarake të Evropës që nga Lufta e Ftohtë, e cila do të zhvillohet këtë vit.