
Rezultati i zgjedhjeve në Shqipëri, pas 48 orësh
25 prill 2021
| 22:41
Rezultati i zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, pritet të bëhet publik pas 48 orësh.
“Askush nuk e di se kush i ka fituar zgjedhjet, duhet të presim 48 orë”, ka thënë Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi gjatë një paraqitje publike, menjëherë pas mbylljes zyrtare të votimit.
Ai u bëri thirrje partive politike që të përcjellin me qetësi situatën në vijim pasi, siç tha ai, është shumë e rëndësishme për sigurinë e procesit.
Ai ka theksuar se deklaratat para përfundimit të numërimit nuk i shërbejnë këtij procesi.
Të dielën, 3.6 milionë qytetarë të Shqipërisë, patën të drejtë që të votojnë për të zgjedhur 140 deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë, e cila më pas zgjedh qeverinë që udhëheq me vendin për katër vjetët e ardhshme.