Rezultati katastrofal i Kurtit, brenda një muaji e çoi “Dinarin” e Serbisë në dialog

24 shkurt 2024 | 10:50

Më 27 shkurt 2024, pikërisht në njëvjetorin e Marrëveshjes Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023] do të hapet një kapitull i ri i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Tashmë është zyrtare se emisari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka ftuar në takim Kosovën dhe Serbinë për të diskutuar për çështjen e përdorimit të “Dinarit” serb në Kosovë, shkruan Demokracia.com.

Deri më tani, Qeveria e Kosovës nuk ka treguar se kush do të dialogojë, përveç faktit se kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, nuk do t’i përgjigjet ftesës. Por, Bislimi që ka refuzuar ftesën peronalisht, ka lënë të hapur mundësinë që edhe Kosova të përfaqësohet në këtë tryezë.

Më 21 shkurt 2024, Zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi, ka konfirmuar se çështja e “Dinarit” serb tashmë po hyn në agjendën e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili u ka thënë gazetarëve se “Do të shohim kush mund të shkojë që të bisedojë për Dinarin, por që nuk është nga ekipi i kryenegociatorit”.

Më 22 shkurt 2024, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar ftesën që u është dërguar palëve, derisa ka njoftuar se nuk është specifikuar se nga kush mund të përfaqësohen.

“Ftesa përmes letrës nga i dërguari i posaçëm Lajçak nuk kishte specifikuar se kush duhet të përfaqësojë Kosovën dhe kush Serbinë, kjo i ishte lënë palëve të vendosin”, ka thënë Stano.

BQK KYÇET NË DIALOG?

Ndonëse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, por institucioni i vetëm që është i përfshirë në këtë temë është Banka Qendrore e Kosovës, e cila nga 1 shkurt 2024 ka filluar zbatimin e Rregullores së re lidhur me operacionet me paratë e gatshme.

Më 6 shkurt 2024, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, ka bërë të ditur se i kanë dërguar letër Bankës Qendrore të Serbisë në të cilën kanë shprehur gatishmërinë për të gjetur zgjidhje për qytetarët serbë të Kosovës, pas vendimit të këtij institucioni për ndalimin e përdorimit të dinarit dhe që euroja të jetë valuta e vetme në Kosovë.

“Sot [6 shkurt 2024] ne i kemi dërguar një letër Bankës Qendrore të Serbisë në të cilën kemi shprehur gatishmërinë tonë për shkak se këta janë qytetarët tanë që t’ju ofrojmë mbështetjen tonë dhe të paraqitemi si ndërmjetës nëse ka nevojë në gjetjen e një zgjidhjeje e cila është më se efikase sa i përket transferit të mjeteve në sistemin bankar të Kosovës në euro. Ekzistojmë tashmë modele të njohura ku në disa prej tyre i kemi shpjeguar në letër. Pra, është çështje e vullnetit dhe gatishmërisë për t’i transferuar mjetet dhe jo çështje e mungesës së mekanizmave, kurse kur nuk do me zgjedh një problem mund të gjenden sado arsye – ne duam me zgjedh problemin dhe s’kemi pasur asnjë qëllim krijimin e vështirësive”, ka thënë Ismaili në “Konfront” të KTV-së.

Në letër, siç thotë guvernatori i BQK-së, kanë ofruar zgjidhje që Serbia të transferojë mjetet në llogaritë bankare të serbëve pa asnjë ndryshim apo kërkesë shtesë.

“Ne këtë letër e kemi dërgu për të ofruar zgjidhje edhe më efikase, jo se nuk ka zgjidhje. Pra, zgjidhjet edhe sot janë pa asnjë ndryshim, pa asnjë kërkesë dhe ndryshim të legjislacionit është e mundur që nga Serbia të transferohen mjete në llogaritë bankare të qytetarëve tanë, pa asnjë afat shtesë dhe kjo besoj që ndodh në aspekte tregtare për çdo ditë. Në letrën që ne kemi dërguar, ne kemi dashur që edhe të lehtësojmë këtë proces, pra të jetë më pak i kushtueshëm dhe më efikas. Pra, një lloj moduli që në mënyrë masive kryhen këto pagesa duke respektuar transferin ndërshtetëror”, ka shtuar ai.

Me kryeministrin Kurti krejt papritur “Dinari” i Serbisë u fuqizua dhe përveç vëmendjes që mori në mediat ndërkombëtare e deri në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, valutës serbe po i rritet vlera edhe në një drejtim tjetër, tashmë si temë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. /Demokracia.com/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një banesë sot është përfshirë nga zjarri në lagjen “Mati…