Rezultati zgjedhor nuk ka qenë i pritshëm për ne

14 tetor 2019 | 16:54

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ali Berisha, ka thënë  se në përgjithësi procesi zgjedhor i 6 tetorit ka qenë i mirë dhe i rregullt.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se Aleanca nuk ka kërkuar rinumërim të votave dhe përsëritje të votimeve pasi që mendon se një gjë e tillë e komplikon situatën.

“Procesi zgjedhor i 6 tetorit marrë në tërësi ka shkuar mirë. Ndonëse pritjet tona kanë qenë të mëdha sa i përket rezultatit, procesi ka qenë i rregullt bazuar në vlerësimet e Aleancës. Bazuar në këtë nuk kemi kërkuar rinumërim të votave dhe përsëritje të votimeve pasi që mendojmë se kjo e komplikon situatën dhe për këtë arsye e kemi pranuar rezultatin zgjedhor ashtu qysh është”, është shprehur Berisha.

Ai ka thënë se koalicioni AAK-PSD ka pritur rezultat shumë më të mirë bazuar në punën e qeverisë Haradinaj.

“Pritjet e Aleancës nuk kanë qenë për këtë rezultat, mirëpo vlerësimi dhe verdikti i popullit ka qenë i tillë dhe ne do ta respektojmë atë. Vullneti i shumicës së qytetarëve ka përcaktuar që kësaj radhe AAK-ja të jetë në opozitë. Kemi pritur më shumë bazuar në punën që e ka bërë qeveria Haradinaj, sidomos në vendimet që ka marrë”, ka deklaruar Berisha, duke shtuar se çështjet prioritare për popullin e Kosovës, sidomos zhvillimi ekonomik dhe punësimi, kanë qenë determinuese për rezultatin zgjedhor. “Partitë e tjera politike i kanë pasur në agjendën e tyre të potencuara këto çështje më tepër dhe nuk u kanë dhënë rëndësi aspekteve nacionale që për Aleancën dhe PSD-në kanë qenë shumë të rëndësishme. Pra, elektorati i Kosovës është përcaktuar për ato që nuk kanë qenë shumë të potencuara në programin e Aleancës”, ka theksuar ai.

Berisha ka thënë se Aleanca do të jetë parti opozitare dhe do të luajë rol konstruktiv. Sipas tij, AAK-ja do të jetë kujdestare e moscenimit të interesave nacionale, sidomos ndaj mosndryshimit të kufijve, moskrijimit të asociacionit me rol ekzekutiv dhe ndaj aspekteve të tjera që e bëjnë jofunksionale Kosovën. Berisha ka bërë thirrje që sa më shpejt të formohen institucionet e reja, meqë Kosovën e presin shumë sfida. Sipas tij, dialogu me Serbinë do të jetë sfida kryesore e qeverisë së re.

 “Epoka e re”: Z. Berisha, si e vlerësoni në përgjithësi procesin zgjedhor të 6 tetorit?
Berisha: Procesi zgjedhor i 6 tetorit marrë në tërësi ka shkuar mirë. Ndonëse pritjet tona kanë qenë të mëdha sa i përket rezultatit, procesi ka qenë i rregullt bazuar në vlerësimet e Aleancës. Bazuar në këtë nuk kemi kërkuar rinumërim të votave dhe përsëritje të votimeve pasi që mendojmë se kjo e komplikon situatën dhe për këtë arsye e kemi pranuar rezultatin zgjedhor ashtu qysh është.

“Epoka e re”: Disa nga kandidatët për deputetë të koalicionit AAK-PSD janë ankuar se nuk ka shkuar mirë procesi i numërimit të votave, sidomos në garën e brendshme. Mendoni se ka mundur të ketë manipulime në këtë drejtim?
Berisha: Gjithmonë pas rezultatit të zgjedhjeve ankohen të pakënaqurit dhe kjo është e natyrshme si për parti, si për individë. Pra, jo vetëm në Aleancë, por edhe në partitë e tjera ka ankesa individuale për numërim të votave. Nuk mund të thotë askush se çdo gjë ka qenë në rregull pasi që është e drejtë e secilit të verifikojë se ku kanë qenë të metat dhe nëse ka argumente atëherë janë mekanizmat e caktuar të ankesave në mënyrë që ato kuti ku ka ankesa të bazuara t’i rinumërojë dhe të vazhdohet tutje me këtë çështje.

“Epoka e re”: Ka qenë i pritur ky rezultat bazuar në qeverisjen e fundit gati dyvjeçare?
Berisha: Pritjet e Aleancës nuk kanë qenë për këtë rezultat, mirëpo vlerësimi dhe verdikti i popullit ka qenë i tillë dhe ne do ta respektojmë atë. Vullneti i shumicës së qytetarëve ka përcaktuar që kësaj radhe AAK-ja të jetë në opozitë. Kemi pritur më shumë bazuar në punën që e ka bërë qeveria Haradinaj, sidomos në vendimet që ka marrë. Mendoj se çështjet që janë prioritet i popullit të Kosovës, sidomos zhvillimi ekonomik dhe punësimi, kanë qenë determinuese që të vijë ky rezultat. Partitë e tjera politike i kanë pasur në agjendën e tyre të potencuara këto çështje më tepër dhe nuk u kanë dhënë rëndësi aspekteve nacionale që për Aleancën dhe PSD-në kanë qenë shumë të rëndësishme. Pra, elektorati i Kosovës është përcaktuar për ato që nuk kanë qenë shumë të potencuara në programin e Aleancës.

“Epoka e re”: Cila mendoni se ka qenë arsyeja kryesore që nuk keni shënuar rezultat më të mirë në zgjedhje meqë pritjet i keni pasur të mëdha për të fituar?
Berisha: Aleanca në këto zgjedhje ka rritje të caktuar sidomos në disa zona në Dukagjin. Koalicioni i kaluar qeverisës ka qenë mjaft kompleks dhe ka qenë një qeveri megalomane. Bazuar në atë kompleksitet dhe vendimmarrje të komplikuar nuk kanë mundur të realizohen ato që kanë qenë esenciale për popullin siç janë zhvillimi më i madh ekonomik, punësimi më i madh dhe aspektet e tjera. Qeveria Haradinaj ka marrë vendime shumë të mëdha dhe të rëndësishme sa i përket aspektit nacional, ndërsa në aspekte të tjera të brendshme ka qenë ndoshta jo shumë e kujdesshme, sidomos ndaj elektoratit të vet, pasi që preokupimi kryesor i kryeministrit dhe i qeverisë kanë qenë çështjet nacionale.

“Epoka e re”: Bazuar në rezultatet preliminare AAK-ja do të jetë opozitë. Cili do të jetë roli i saj?
Berisha: Qytetarët kanë vendosur që Aleanca të jetë parti opozitare dhe këtë qëndrim të elektoratit e respektojmë. Si opozitë do ta luajmë rolin konstruktiv si gjithmonë. Do të jemi kujdestarë të moscenimit të interesave nacionale, sidomos ndaj mosndryshimit të kufijve, ndaj moskrijimit të një asociacioni që ka rol ekzekutiv dhe ndaj aspekteve të tjera që e bëjnë jofunksionale Kosovën.

“Epoka e re”: Herën e fundit kur AAK-ja ka qenë në opozitë ka bërë opozitë jokonstruktive, madje së bashku me Vetëvendosjen ka përdorur edhe gaz lotsjellës. Do të jetë e njëjta Aleancë edhe përballë qeverisjes Kurti?
Berisha: Aleanca do ta luajë rolin e vet opozitar duke pasur për bazë mbrojtjen e interesave të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Për format e veprimit do të merren vendimet në organet e partisë, varësisht prej situatave të krijuara.

“Epoka e re”: Si e shihni formimin e institucioneve të reja, mund të ketë vonesa në këtë drejtim?
Berisha: Situata aktuale në Kosovë nuk lejon vonesa dhe ata që e kanë marrë besimin e qytetarëve duhet të fillojnë sa më shpejt negociatat për formimin e qeverisë së re të cilën e presin shumë sfida. Kosova sa më parë duhet t’i ketë institucionet e reja të dala nga vullneti i qytetarëve i shprehur më 6 tetor.

“Epoka e re”: Kosovën e presin shumë sfida. Në mesin e tyre është edhe procesi i dialogut. Cila do të jetë ecuria e këtyre proceseve në qeverisjen Kurti?
Berisha: Sfiduese për qeverinë e re do të jetë edhe dialogu me Serbinë. Në këtë aspekt duhet një kujdes jashtëzakonisht i madh dhe të mos preken interesat e nacionale. Pra, duhet të ruhet territori dhe funksionaliteti i shtetit në këto bisedime. Avantazhet e krijuara nga qeveria e kaluar në procesin e dialogut nuk duhet të humbën pasi që qeveria e re duhet t’i shfrytëzojë ato avantazhe në mënyrë që t’i avancojë proceset dhe të jetë sa më e suksesshme përballë Serbisë.

“Epoka e re”: Duke qenë në opozitë, do ta mbështetë Aleanca këtë dialog?
Berisha: Aktualisht nuk ka qëndrim. Priten rezultatet e krijimit të qeverisë dhe hapat e caktuar, pastaj organet e partisë do të takohen dhe do t’i diskutojnë veprimet e mëtutjeshme.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Drenasit, respektivisht, Drejtoria për Planifikim Urban dhe Mbrojtje…