Ribery kërkon falje që e shtyri gjyqtarin
Franck Ribery ka kërkuar falje që e ka shtyrë dhunshëm gjyqtarin anësor, Matteo Passeri, pas humbjes kontroverse të Fiorentinës 2-1 kundër Lazios.
Veterani francez ishte i zemëruar pasi ishte zëvendësuar para se Lazio ta fitonte ndeshjen 2-1 në minutat e fundit. “Më vjen vërtet keq për mbrëmë. U kërkoj falje bashkëlojtarëve të mi, trajnerit dhe tifozëve. Po ashtu, i kërkoj falje edhe Matteo Passerit, sepse në fund të ndeshjes isha shumë i shqetësuar dhe trishtuar, shpresoj se ai mund të më kuptoj”, ka shkruar Ribery në “Twitter”.
“Unë gjithmonë dua të jem në fushë dhe t’u ndihmoj bashkëlojtarëve sepse erdha në Florence për këtë qytet dhe për këtë klub. Mendoj se Fiorentina duhet të marrë më shumë vëmendje, vëmendjen e njëjtë që e marrin klubet e tjera, për punën që po e bëjmë çdo ditë”, ka shtuar Ribery.