Ricciardo largohet përfundimisht nga Formula 1
Piloti australian Daniel Ricciardo do të largohet nga skuadra e Racing Bull. Lamtumira e 33-vjeçarit nga garat e Formula 1 ka efekt të menjëhershëm dhe nuk do të jetë në pistë në garën e ardhshme në Amerikë.
Në vend të tij do të jetë piloti 22-vjeçar Liam Lawson, nga Zelanda e Re. Skuadra e Racing Bull ka vendosur të promovojë sërish pilotin e saj rezervë. Ai do të garojë në 6 garat e mbetura, me shpresën që të rikonfirmohet për vitin 2025. Gara e fundit në Singapor, ku dhe fitoi 1 pikë për xhiron më të shpejtë, ishte e fundit për Daniel Ricciardo, që ka arritur 8 fitore në Formula 1. Ai është një nga pilotët më të dashur të këtij sporti nga fansat dhe vetë kolegët e tij. Ricciardo ka marrë pjesë në 258 gara në karrierën e tij.
Ricciardo u kthye në F1 vitin e kaluar, në Hungari, me makinë AlphaTauri, i cili më vonë u bë RB këtë sezon. Ai shënoi pikë në pesë raste dhe ishte i 14-ti në renditjen e pilotëve, 10 pikë prapa shokut të skuadrës Yuki Tsunoda. Paraqitjet e tij nuk ishin të mjaftueshme për të bindur familjen Red Bull për ta mbajtur atë.