Richard Grenell: SHBA të ndërhyjë menjëherë, të dërgojë emisar në Kosovë
Ish i dërguari i Posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, kërkoi hetime transparente për tensionet në veri të Kosovës, në 24 shtator.
Grenell tha në emisionin e Çim Pekës se SHBA ose BE duhet të ndërhyjnë menjëherë dhe të nisin hetimin.
Gjithashtu, ai kërkoi se Shtëpia e Bardhë të dërgojë një emisar në Kosovë për situatën e krijuar pas vrasjes së policit nga një grup serbësh të armatosur.
“Unë dua të kuptoj çdo detaj dhe për këtë arsye ështe e nevojshme të kemi një hetim transparent. Qeveria e Serbisë duhet të tregojë se kur e ka marrë njoftimin për sulmin. Ajo që më shqetëson gjithashtu janë edhe personat në Kosovë që punojnë në polici dhe janë vendosur në këtë pozicion nga Kurti. Duam të dimë se çfarë dinin ata, çfarë u është thënë dhe tani pas vdekjeve duhet të bëjmë hetimin.
Duhet të kemi filmimet, dhe të shohim me kujdes gjithçka. Jo vetëm disa fragmente të vogla të videove sepse duket se janë fragmente të situatës. Unë dua një hetim të pavarur. Ju e dini se duhet të ketë një palë të tretë, e cila të ndërhyjë dhe të bëjë këto autopsi. Nuk mund të kemi vetëm një palë që jep informacionin dhe të gjithë e besojnë atë palë.
Ky është roli i SHBA ose i BE-së, por njëri prej këtyre të dyve duhet të ndërhyjë menjëherë dhe të nisë hetimin. Shqetësimi im është se europianët flasin shumë, por nuk veprojnë aq shumë. Pikërisht në këto momentet duhet të ndërhyjë SHBA dhe kur të ndërhyjnë ata, marrin menjëherë veprime.
Unë mendoj se Shtëpia e Bardhë duhet të dërgojë një emisar për këtë situatë. Tani NATO po shton trupat dhe jam i shqetësuar për këtë situatë. Kur Trump ishte president ne flisnim për uljen e numrit të trupave ushtarake”, deklaroi ai.